Ekonomia Online
FUNDIT

Komisioni hetimor për rastin e Arlinda Zekajt propozon disa kandidatë për ekspertë të jashtëm

Komisioni hetimor për rastin e Arlinda Zekajt propozon disa kandidatë për ekspertë të jashtëm

Skender Kandiq, Shpresa Gjocaj, Emina Avdyli, Alban Krasniqi dhe Besarta Breznica janë emrat e propozuar nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, për t’u angazhuar si ekspertë të jashtëm në tri fusha: penale, sociale dhe dhunën në familje.

Në mbledhjen e Komisionit, nënkryetari Adnan Rrustemi tha se janë të nevojshëm tre ekspertë nga fusha të ndryshme, të cilët do të ndihmojnë në punën hetimore parlamentare.

“Neve na duhet angazhimi i tre ekspertëve ne tre fusha të ndryshme. Një ekspert i fushës penale që do të na ndihmojë në aspektin e veprimeve dhe mosveprimeve në institucionet e drejtësisë; një ekspert për punë sociale që është i domosdoshëm të na ndihmojë në raportin dhe komunikimin me QPS-në dhe punëtorët social dhe një ekspertë për çështjen e dhunës në familje”- tha Rrustemi, raporton kallxo.com.

Ai e mbështeti kandidaten Emina Avdyli për ekspertizën në fushën penale, ndërsa për dimensionin social u përmend Skender Kandiq, i cili mori mbështetjen e anëtarit tjetër të komisionit, Osman Musliut.

Ndërkaq, anëtarja e Komisionit nga PDK-ja, Besa Kabashi-Rama, propozoi Alban Krasniqin për çështjet penale, Besarta Breznicën për dhunën gjinore, si dhe Shpresa Gjocajn dhe Skender Kandiq për dimensionin social.

Rama theksoi se për ekspertin e fushës sociale është e rëndësishme që të ketë përvojë në vlerësimin e qendrave për punë sociale dhe në mbrojtjen e fëmijëve.

“Për dimensionin social, kemi nevojë për dikë që ka ekspertizë në vlerësimin e qendrave për punë sociale dhe dikush që ka pasur eksperiencë në mbrojtjen e fëmijëve. Po e shoh të nevojshme se nëse identifikojmë një kandidat që mundet se paku me u përafru, këtu po e shoh si hallkën më të sfiduar të kandidatëve”- tha Rama.

Rrustemi, ndërkaq, theksoi se Komisionit i duhet një ekspert i fushës penale për të analizuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve të drejtësisë, një ekspert i punës sociale për raportin me Qendrat për Punë Sociale dhe punëtorët socialë, si dhe një ekspert për dhunën në familje.

Kjo mbledhje ishte e caktuar të mbahej në orën 09:00, por për shkak të mungesës së kuorumit u shty për në 12:00.

Të ngjashme