Kosova vazhdon të përballet me sfida të shumta në rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, pavarësia e institucioneve dhe funksionimi i drejtësisë mbeten ndër fushat që kërkojnë angazhim dhe rezultate konkrete.
Gjinali: Kosova duhet ta largojë “progresin e kufizuar” nga raportet e ardhshme të BE-së

Kështu vlerëson politologu Ardit Gjinali në një intervistë për Ekonomia Online i cili thotë se gjetjet e Raportit të Progresit duhet të shërbejnë si thirrje për përgjegjshmëri institucionale, duke theksuar se përmirësimi i pozitës së Kosovës në raportet e ardhshme të Bashkimit Evropian varet mbi të gjitha nga vullneti politik dhe përkushtimi për reforma.
Gjinali ka theksuar edhe rëndësinë e konsolidimit të pavarësisë së institucioneve, duke përmendur zhvillimet rreth ligjit për Dhomat e Specializuara dhe reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të Bashkimit Evropian.
"Progres raporti është një dokument i përvitshëm i cili paraqet zhvillimet e një vendi përgjatë një viti plot kalendarik. Për Kosovën patjetër që në tërësinë e vet i gjithë raporti përmbante përkatësisht termin "progres i kufizuar", veçanërisht në fusha të rëndësishme si për shëmbull lufta kundër korrupsionit, apo në të njëjtën kohë edhe në aspekte të tjera të rëndësishme për sa i takon edhe zhvillimeve ekonomike apo edhe momenteve të tjera. Absolutisht një vend i rëndësishëm zënte fakti i nevojës së një konsolidimi të pavarësisë së institucioneve, veçanërisht të marrëdhënieve mes ekzekutivit nga njëra anë edhe pushtetit gjyqësor nga ana tjetër, patjetër dhe kontekste të tjera të realitetit politik, të cilët kanë bërë absolutisht edhe me ngjarjet për sa i takon edhe zhvillimeve të fundit të ligjit të dhomave speciale, i cili në fakt u votua në Kuvend, më pas u rikthy për rishqyrtim në Kuvend dhe ka qenë edhe subjekt i apelit të përfaqësive të ndryshme ndërkombëtare dhe i përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për ta parë me kujdes dhe me një sy të thelluar për të mos qënë objekt apo subjekt i inicionimit të mundshëm të ndonjë marrëdhënie të caktuar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Gjinali ka theksuar se përfundimi i bllokadës institucionale duhet të pasohet me angazhim konkret për adresimin e çështjeve të pazgjidhura.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se Kosova duhet të intensifikojë diplomacinë proaktive ndaj Bashkimit Evropian, të shtyjë përpara procesin e aplikimit për anëtarësim dhe të përmbushë kushtet që lidhen me integrimin evropian dhe dialogun me Serbinë.
"Patjetër që raporti i progresit në vetvete është një raport i cili shërben si një udhërrëfyes për atë në të cilën Kosova ndodhet dhe duhet të shërbejë dhe si një moment për thirrje të përgjegjshmërisë midis gjithë atyre instancave qeverisëse, pasi qeveria dhe partia kryesore në pushtet kanë përgjegjësinë kryesore për sa i takon gjetjeve të progres raportit, edhe mënyrën se si mundet që qeveria në vijim, pasi edhe përfundimit të bllokadës institucionale do të adresojë shumë çështje të cilat në fakt ndonjëherë janë përdorur dhe si një justifikim, bllokada institucionale dy vjet është përdorur dhe si një shkak për të justifikuar ndoshta shumëçka që nuk është realizuar. Kështu që mendoj që edhe seanca e cila është thirrur gjatë kësaj jave, mendoj që do të shërbejë përtej patjetër gjykimit politik mes palëve, për sa i takon përgjegjësive përkatëse, mendoj që do të shërbejë në të njëjtën kohë edhe do t'i jepet dhe rëndësia e duhur edhe në sytë e publikut, për atë që do të angazhohen nesër institucionet e Kosovës në tërësi për këtë proces edhe për një progres raport ndoshta më të mirë në vitin e ardhshëm”, ka shtuar ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, Kosova duhet të bëjë më shumë sa i përket dilomacisë proaktive.
“Pa dyshim që marrëdhënia e Kosovës me BE-në është një marrëdhënie e cila duhet të jetë shumë e rëndësishme, patjetër që Kosova duhet të bëjë më shumë për sa i takon edhe diplomacisë proaktive mbi të gjitha edhe në shqyrtimin e mundshëm nëse do të arrijë dot aplikimit të Kosovës i cili në fakt është pluhurosur në sekretaritë e Bashkimit Evropian, por në të njëjtën kohë Kosova duhet që të ndërmarrë dhe të plotësojë dhe shumë prej atyre kushteve të cilat në fakt përmenden qartë në raport, në angazhimet e përbashkëta mbi të gjitha për sa i takon edhe çështjeve të dialogut me Serbinë, një moment politik i rëndësishëm, i mbetur pezull në fakt dhe që kjo pezulli mund të jetë në perspektivë duke pasur parasysh edhe vullnetin e panjohur të qeverisë së re në Beograd, e cila pritet që të formalizohet në periudhën në vijim. Pra sfidat janë të mëdha, të shohim cili do të jetë më pas edhe veprimi proaktiv i Kosovës për sa i takon kësaj çështje”, ka deklaruar Gjinali.
Në fund, Gjinali ka vënë në pah se vullneti politik dhe mendësia institucionale janë vendimtare për përmirësimin e rezultateve të Kosovës në raportet e ardhshme të Bashkimit Evropian. Sipas tij, nëse interesi politik mbizotëron mbi interesin shtetëror, vendi rrezikon të vazhdojë me rezultate të njëjta apo edhe të shënojë regres.
"Vullneti është çelësi dhe fjala kyçe e shumëçkaje. Nëse vullneti pozitiv dhe mendësia institucionale do të prevalojë mbi momente të caktuara politike dhe mbi dritëshkurtësi politike, patjetër që mendoj që në këtë rast absolutisht që progres raporti i vitit të ardhshëm do të jetë më i mirë. Nëse më pas interesi politik do të prevalojë mbi interesin shtetëror, patjetër që rezultatet do të vijojnë të jenë minimalisht të njëjta, ose në raste më të këqija edhe në regres. Pa dyshim që ka ardhur koha që patjetër "progresi i kufizuar" duhet që të largohet si term nga progres raporti për Republikën e Kosovës dhe absolutisht që progresi i qëndrueshëm duhet që të jetë objektivi dhe qëllimi mbi të gjitha institucioneve pushtet-ushtruese dhe shtet-përbërëse të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Raporti i progresit të hënën u është dorëzuar përfaqësuesve të institucioneve të vendit.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026, në pjesën që i kushtohet Kosovës, evidenton se vendi ka ngecur në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian. Në veçanti përmendet sistemi gjyqësor, i cili nuk ka shënuar përparim, ndërsa lufta kundër korrupsionit vlerësohet se ka dhënë rezultate të kufizuara. Po ashtu, krizat politike të njëpasnjëshme kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.
Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe të dënimeve në rastet e korrupsionittë nivelit të lartë. Megjithatë, dokumenti vë në pah përparimin në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, gjë që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Sipas Komisionit Evropian, Kuvendi i Kosovës i ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e qeverisë ka qenë shumë e kufizuar. Sa i përket dialogut me Serbinë, raporti konstaton pak përparim dhe shumë detyrime të pazbatuara.


















