Ekonomia Online
FUNDIT

Raporti i BE-së konstatoi ngecje, deputetja e LVV-së: Përparimi është i pamohueshëm

Raporti i BE-së konstatoi ngecje, deputetja e LVV-së: Përparimi është i pamohueshëm

Deputetja Liza Gashi foli në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në debatin e sotëm parlamentar për raportin e sivjetmë të Bashkimit Europian për Kosovën, duke përmendur “suksese dhe përparim”, raporton Ekonomia Online.

Pavarësisht se raporti në masë të madhe konstaton se s’është bërë progres, Gashi tha se përparimi është “i pamohueshëm”.

“Për ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me aleatët tanë, ky debat parlamentar po ashtu është një mundësi e mirë për të prezantuar sukseset dhe përparimin e pamohueshëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Gashi tha se “integrimi evropian mbetet orientimi strategjik”, ndërsa përmendi liberalizimin e vizave në vitin 2024 si sukses të Qeverisë së udhëhequr nga LVV-ja.

“Gjatë kësaj dekade, kemi përafruar legjislacionin me standardet evropiane, kemi zgjeruar marrëdhëniet tregtare, por mbi të gjitha, kemi liberalizuar vizat për vendin tonë”, tha ajo.

“Sot, çdo qytetar i Republikës së Kosovës mund të lëvizë lirshëm në çdo cep të bllokur Schengen, por edhe më gjerë”, shtoi deputetja.

Gashi tha se “mosshqyrtimi i aplikimit të Kosovës (për anëtarësim në BE) nuk është vetëm vonesë për Kosovën, por në fakt është edhe një sfidë për besueshmërinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian”.

Deputetja përmendi “bllokadën institucionale” si shkak të ngecjeve.

Të ngjashme