Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po mashtron me deklaratat e tij për uljen e pabarazisë në paga, raporton Ekonomia Online.
Hoti: Kurti po mashtron për uljen e pabarazisë në paga

Përmes një reagimi në Facebook, Hoti ka thënë se pavarësisht deklaratave të kryeministrit, treguesit e punësimit në Kosovë vazhdojnë të mbeten shqetësues.
“Kurti mashtron veten e botën me deklarata se e ka ulur pabarazinë në paga. E fsheh të vërtetën”, shkroi Hoti.
Ai ka theksuar se nga çdo 10 persona të moshës së punës, vetëm katër janë të punësuar, ndërsa te gratë ky raport është edhe më i ulët.
“Nga 10 gra të moshës së punës, vetëm tri janë të punësuara”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, problem mbetet edhe punësimi i të rinjve, pasi nga 10 persona të moshës 15 deri në 24 vjeç, vetëm tre janë të punësuar.
Hoti ka pretenduar se këta tregues kanë mbetur pothuajse të njëjtë gjatë pesë viteve të fundit, pavarësisht mjeteve të shpenzuara nga Qeveria në skemat e punësimit.
“Këto raporte kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, edhe pse janë shpenzuar miliona në skema të superpunës e të subvencioneve pa asnjë efekt real afatgjatë”, shtoi.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar edhe gjendjen ekonomike në vend, duke përmendur rritjen e kostos së jetesës, mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe krizën në prodhimin vendor.
“Kostoja e jetës gati është dyfishuar në pesë vitet e fundit. Sigurimet shëndetësore as nuk janë në horizont. Prodhimi vendor është në krizë dhe çmimet e produkteve ushqimore nga importi janë gjithnjë e më të larta”, ka thënë Hoti.
Në fund, ai ka vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit Kurti për uljen e pabarazisë në paga.
“Atëherë për çfarë ulje të pabarazisë po flet ky?”, ka përfunduar Hoti.
















