Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor nuk varet vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha nga ofrimi i shërbimeve të sigurta, profesionale dhe të përqendruara në nevojat e pacientëve, raporton Ekonomia Online.
Vitia: Cilësia e shërbimeve shëndetësore kërkon përkushtim dhe bashkëpunim

Këto deklarata Vitia i bëri në hapjen e Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me moton “Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim”.
Ai tha se cilësia nuk është vetëm një standard që duhet arritur, por një përkushtim i vazhdueshëm i profesionistëve shëndetësorë ndaj pacientëve dhe profesionit të tyre.
“Është kënaqësi të kemi sonte bashkë përfaqësues të institucioneve, ekspertë dhe profesionistë nga vendet e ndryshme, të bashkuar nga dija dhe mbi të gjitha nga dëshira e përbashkët për avancimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë. Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim. Kjo është motoja e kësaj konference, e cila në vetvete përcjell një mesazh të rëndësishëm se përkundër investimeve, përkundër angazhimit të përditshëm, cilësia nuk është vetëm një standard që duhet arritur, por është një përkushtim i vazhdueshëm i gjithë juve të pranishëm dhe jo vetëm, ndaj pacientit dhe ndaj profesionit dhe natyrisht e gjithë kjo rrugë ka shumë sfida”, tha Vitia.
Ministri theksoi se asnjë institucion apo shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e zhvillimit të sistemeve shëndetësore, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneriteteve ndërkombëtare.
“Një sistem i qëndrueshëm shëndetësor ndërtohet jo vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha në shërbimet e sigurta, profesionale dhe të përqendruara në nevojat e pacientit. Ky është natyrisht një proces me sfida, jo i lehtë, kërkon përkushtim dhe mbi të gjitha kërkon bashkëpunim, dhe asnjë institucion apo vend nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e zhvillimit të sistemeve shëndetësore”, u shpreh ai.
Vitia tha se Kosova mbetet e përkushtuar në avancimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, në bashkëpunim me profesionistët, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin akademik.
Ndërkaq, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, tha se shëndetësia ka qenë prej kohësh një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se përveç qasjes në shërbime, qytetarët duhet të kenë mundësi të marrin kujdes shëndetësor të sigurt dhe efektiv.
“Për Zvicrën, shëndetësia ka qenë prej kohësh një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit me Kosovën. Ne besojmë se qasja në kujdesin shëndetësor është thelbësore, por vetëm qasja nuk mjafton. Njerëzit duhet gjithashtu të jenë në gjendje të mbështeten në shërbime që janë të sigurta, efektive dhe që u përgjigjen nevojave të tyre”, tha ajo.
Ambasadorja theksoi se përmes projekteve për kujdesin shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, si dhe shërbimeve të integruara shëndetësore, Zvicra ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe orientimin e shërbimeve drejt nevojave të pacientëve.
“Përmes bashkëpunimit tonë afatgjatë, veçanërisht përmes projekteve për kujdesin shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, si dhe shërbimet e integruara shëndetësore, Zvicra ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe promovimin e një kalimi drejt një kujdesi më të orientuar nga pacienti, ku shërbimet organizohen në përputhje me nevojat e pacientëve”, deklaroi Cattin Hennin.
Ajo shtoi se në qendër të këtij bashkëpunimi ka qenë zhvillimi i sistemit të menaxhimit të cilësisë, përmes të cilit janë forcuar standardet dhe kapacitetet institucionale.
Sipas saj, përmirësimi i cilësisë nuk kufizohet vetëm në vendosjen e standardeve dhe procedurave, por kërkon krijimin e një kulture ku përgjegjësia për cilësinë ndahet nga të gjithë, përfshirë politikëbërësit, menaxherët shëndetësorë dhe profesionistët shëndetësorë.

















