Ekonomia Online
FUNDIT

Kurti takohet në Paris me fituesin e Nobelit në Ekonomi: Diskutojnë rritjen ekonomike dhe inovacionin në Kosovë

Kurti takohet në Paris me fituesin e Nobelit në Ekonomi: Diskutojnë rritjen ekonomike dhe inovacionin në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Paris të Francës është takuar me ekonomistin Philippe Aghion, i cili vitin e kaluar u nderua me Çmimin Nobel për Ekonomi.

Kurti ka thënë se me profesorin Aghion, i cili ligjëron në Collège de France, INSEAD dhe London School of Economics, kanë diskutuar për rritjen ekonomike në Kosovë dhe sektorët me potencialin më të madh për zhvillim.

Sipas tij, vëmendje e veçantë iu kushtua sektorit të teknologjisë, i cili përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor të Kosovës dhe vazhdon të shënojë rritje.

Në takim, siç ka bërë të ditur Kurti, u diskutua edhe për inovacionin në Evropë, mundësitë dhe sfidat që sjell inteligjenca artificiale, rolin e qeverive në mbrojtjen e punëtorëve dhe zhvillimin e aftësive profesionale, si dhe tranzicionin energjetik.

Një tjetër temë ishte sistemi i arsimit dual në Kosovë, i frymëzuar nga modelet e Gjermanisë dhe Zvicrës. Kurti ka deklaruar se profesori Aghion e ka vlerësuar pozitivisht politikën e Qeverisë për zhvillimin dhe zbatimin e këtij sistemi, i cili lidh arsimin profesional me përvojën praktike në vendin e punës.

Kurti ka ndarë detaje nga takimi përmes një postimi në Facebook.

Të ngjashme