Konferenca e III-të për sektorin e qumështit, fokus në biosiguri, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 12:49 | Nga Gzim Mujaj

Është mbajtur Konferenca e III-të për sektorin e qumështit, me temën “Biosiguria, ndryshimet klimatike dhe perspektiva për zhvillim”, ku u diskutuan politikat mbështetëse, sfidat aktuale dhe mundësitë për rritjen e qëndrueshme të këtij sektori, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues institucionalë, shoqata të fermerëve dhe organizata zhvillimore theksuan rëndësinë e blegtorisë dhe prodhimit të qumështit për ekonominë, sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e qytetarëve, duke vënë theks të veçantë në rritjen e subvencioneve, përmirësimin e cilësisë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Imri Demelezi, ushtrues detyre në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se organizimi i këtyre konferencave është i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit, duke theksuar mbështetjen institucionale dhe financiare për blegtorinë.

Sipas tij, përmes skemës së granteve, përkrahja për sektorin e blegtorisë ka arritur vlerën prej 22.5 milionë euro, duke e cilësuar këtë si tregues të qartë të një zhvillimi pozitiv në aspektin socio-ekonomik.

“Organizimi i këtyre konferencave është thelbësor për prezantimin e sukseseve, adresimin e sfidave dhe nxitjen e ideve të reja që fuqizojnë këtë sektor që është një shtyllë e rëndësishme për ekonominë, shëndetin, mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Dua të theksoj se si ministri, si ministri dhe qeveri jemi plotësisht përkrahës të bujqësisë e në veçanti të blegtorisë, këtë e kemi dëshmuar me shtimin e përkrahjes me mjete monetare, shtimin e masave të reja, uljen e burokracisë dhe shtimin e vëmendjes në cilësi e siguri. Përmes skemës së granteve vlera e përkrahjes në sektorin e blegtorisë arrin 22.5 milion euro, një tregues i qartë i zhvillimit pozitiv në zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Rritjen e subvencioneve në cilësi të litrës së qumështit të prodhuar me 27.8 për qind më shumë krahasuar me vitet paraprake. Subvencionimi për herë të parë të viçave me 25 euro për krer apo 50 euro për krerë në vit, subvencionimin për herë të parë të mëshqerrave 50 euro në vit për krerë, realizimin e investimeve në laboratorë në vlerën prej 5.8 milion euro në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian”,

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, vuri në pah rolin e fermerëve dhe përpunuesve në zhvillimin e industrisë së qumështit, si dhe aktivitetet e shoqatës gjatë vitit.

“Ju përpunues jeni motori i zhvillimit të këtij sektori jetik në Kosovë. Të dashur fermerë, puna juaj e palodhur është themeli mbi të cilin qëndron kjo industri, kujdesi ditor, përkushtimi ndaj cilësisë dhe vullneti për t’u përmirësuar vazhdimisht janë garancia më e mirë për ekonominë dhe mirëqenien e komunitetit tonë. Misioni i shoqatës mbetet i pandryshuar, jemi krah jush, jemi të vendosur t’i kthejmë sfidat në mundësi duke synuar rritjen e pandalshme të cilësisë së prodhimit vendor. Shifrat flasin vetë se gjatë këtij viti të suksesshëm mbi 615 fermerë kanë përfituar drejtpërdrejt nga trajnimet dhe aktivitetet tona. Kjo konferencë le të shërbejë si platformë për shkëmbim idesh dhe vizionesh, të shfrytëzojmë për mundësitë për të projektuar së bashku të ardhmen e sektorit të qumështit të Kosovës”,

Ndërsa, Naim Krasniqi nga Fondacioni AGRODEV theksoi se sektori i qumështit po përballet me sfida të shumta, por bashkëpunimi ndërmjet aktorëve mbetet kyç për zhvillimin afatgjatë.

“Sektori i qumështit po përballet njëkohësisht me sfida nga ndryshimet klimatike, kërkesat gjithnjë e më të larta për siguri ushqimore, cilësi dhe nevojën për modernizim dhe qëndrueshmëri afatgjate. Bashkëpunimi si bazë e një zhvillimi, në korrik të këtij viti Fondacioni dhe Shoqata kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi i cili përfaqëson një kornizë bashkëpunimi afatgjatë për forcimin e sektorit të qumështit në Kosovë. Përmes këtij memorandumi ne jemi zotuar që të punojmë së bashku në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së prodhimit të qumështit, ndërtimin e kapaciteteve të fermerëve përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave, promovimin e bujqësisë së mençur ndaj ndryshimeve klimatike, zhvillimin e studimeve sektoriale dhe forcimin e lidhjeve mes fermerëve, institucioneve dhe tregut”, tha ai.

Të ngjashme