Departamenti për Çështje Administrative, përmes vendimit të 17 dhjetorit 2025, ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe ka deklaruar të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, më 29 janar të këtij viti ka ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. Gjithashtu, IKD kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.
Ndryshe, sa i përket ndryshimit të rregullores, KPM në atë mbledhje ka shtuar një paragraf (2) në nenin 3 të saj, përmes të cilit u mundësua zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, përderisa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025.
Përmes vendimit të 10 qershorit 2025, Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesëpadinë e IKD-së ndaj KPM-së, duke e shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.
Ndërsa, në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 17 dhjetorit 2025, thuhet se pasi Gjykata shqyrtoi me kujdes shkresat e lëndës, pretendimet e palës paditëse, kundërshtime e palës së paditur, provat e administruara gjatë shqyrtimit kryesor, si dhe aktgjykimin relevant të Supremes, vlerësoi se padia e paditësit është e bazuar dhe se vendimi i KPM-së për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, është i kundërligjshëm dhe si i tillë duhet të deklarohet i paligjshëm.
“Gjykata vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi, në përputhje me nenin 60, paragrafi 2 dhe 3 të Ligjit Nr. 08/L-192 për Konfliktet Administrative dhe provave të administruara në seancën e shqyrtimit kryesor dhe gjeti se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar. Gjykata pas shqyrtimit të Vendimit të kontestuar me padi, konstatoi paligjshmërinë e tij duke e deklaruar të njëjtin të paligjshëm”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se paditësja IKD, me të drejtë ka ngritur çështjen e ligjshmërisë së këtij vendimi, duke argumentuar se ai buron nga një bazë normative e kundërligjshme, përkatësisht nga një rregullore e ndryshuar në kundërshtim me Ligjin për KPM-në, si dhe se vetë procedura dhe mënyra e zgjedhjes së kryetarit nuk është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Më tej, Gjykata ka vlerësuar se çështja kyçe në këtë konflikt administrativ nuk është thjesht respektimi formal i kuorumit apo votimit të fshehtë, siç pretendon pala e paditur, por ligjshmëria e bazës juridike mbi të cilën është mbështetur vendimi i kontestuar.
“Parimi themelor i ligjshmërisë në të drejtën administrative kërkon që çdo akt administrativ individual të jetë i nxjerrë në përputhje të plotë me ligjin dhe të mbështetet në një akt normativ të vlefshëm. Në rastin konkret, Gjykata konstaton se vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së është marrë mbi bazën e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së KPM-2025/01, e cila Rregullore është miratuar po në mbledhjen e datës 17.01.2025”, thuhet në vendimin e Themelores.
Andaj, vendimi thekson se në këtë kontekst, rëndësi vendimtare ka aktgjykimi i Gjykatës Supreme, me të cilin është aprovuar padia e IKD-së dhe është shpallur i paligjshëm dhe shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së.
“Gjykata Supreme, në arsyetimin e saj, ka sqaruar qartë se edhe pse KPM gëzon pavarësi organizative dhe funksionale, kjo pavarësi nuk nënkupton autorizim për të tejkaluar ose anashkaluar dispozitat e ligjit themelor që rregullon funksionimin e saj”, thuhet mes tjerash në këtë vendim.
Derisa theksohet se ky aktgjykim i shkallës së tretë ka fuqi juridike detyruese për këtë çështje, pasi ka qartësuar kuptimin dhe zbatimin e saktë të Ligjit për KPM-në në raport me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit.
“Edhe pse Gjykata Supreme nuk ka vendosur drejtpërdrejt për ligjshmërinë e vendimit individual për zgjedhjen e kryetarit, ajo ka konstatuar se baza normative që ka mundësuar një zgjedhje të tillë është e kundërligjshme. Për rrjedhojë, çdo akt individual që buron drejtpërdrejt nga një akt normativ i shpallur i paligjshëm, nuk mund të konsiderohet i ligjshëm dhe i qëndrueshëm në rendin juridik”, theksohet në vendim.
Gjithnjë sipas vendimit, nuk qëndron pretendimi i palës së paditur se neni 64, paragrafi 2 i Ligjit për Konfliktet Administrative garanton mbetjen në fuqi të vendimit të zgjedhjes së kryetarit, për shkak se aktgjykimi i Gjykatës Supreme prodhon pasoja vetëm për të ardhmen.
“Gjykata vlerëson se kjo dispozitë ka për qëllim të parandalojë pasigurinë juridike në rastet kur nuk janë kontestuar aktet individuale brenda afatit ligjor dhe kur raportet juridike janë konsoliduar. Në rastin konkret, paditësi ka kontestuar në afat ligjshmërinë e vendimit individual për zgjedhjen e kryetarit, dhe për rrjedhojë, ky vendim është objekt i drejtpërdrejt i shqyrtimit gjyqësor. Prandaj, nuk bëhet fjalë për zbatim retroaktiv të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, por për vlerësim të ligjshmërisë së një akti administrativ individual, i cili ende nuk ka fituar imunitet juridik”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, Gjykata i ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet e palës së paditur se zgjedhja e kryetarit para skadimit të mandatit të kryetarit paraprak është e lejuar dhe e justifikuar me nevojën për efikasitet dhe shmangie të vakumit institucional.
“Parimi i sundimit të ligjit nuk lejon që konsideratat praktike apo funksionale të mbizotërojnë mbi kërkesat e qarta ligjore. Siç ka theksuar edhe Gjykata Supreme, nevoja për funksionim institucional nuk përbën bazë juridike për të justifikuar një akt të kundërligjshëm. Ligjshmëria është parakusht i çdo veprimi administrativ dhe nuk mund të relativizohet me argumente të natyrës praktike”, thuhet më tej.
Ndërsa, në vendim thuhet edhe se Gjykata nuk i pranon pretendimet e palës së paditur as lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe organizative të KPM-së si argument për të justifikuar veprimet e ndërmarra.
“Pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të respektuar ligjin. Përkundrazi, respektimi i ligjit është garancia kryesore e legjitimitetit dhe kredibilitetit të veprimtarisë së këtyre institucioneve”.
Derisa, vendimi thekson faktin se standardet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në fushën e administratës publike dhe të institucioneve të pavarura rregullaore theksojnë se pavarësia institucionale nuk përjashton përgjegjësinë për respektimin e ligjit dhe kontrollin gjyqësor të veprimeve administrative.
Në fund, vendimi thotë se Gjykata ka vlerësuar se lejimi i mbijetesës së akteve individuale të nxjerra mbi bazën e Rregulloreve të shpallura të paligjshme do të krijonte një precendet të rrezikshëm për rendin juridik në Republikën e Kosovës, duke cenuar seriozisht sigurinë juridike, barazinë para ligjit dhe besimin e publikut në institucionet shtetërore.
Ky vendim është mirëpritur nga IKD, duke thënë se paraqet një fitore të rëndësishme në mbrojtjen e ligjshmërisë në punën e KPM-së.
“IKD mirëpret këtë vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili, përmes aprovimit të padisë së iniciuar nga IKD, ka deklaruar të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së. Ky vendim, pas atij të Gjykatës Supreme, paraqet një fitore të rëndësishme në mbrojtjen e ligjshmërisë në punën e KPM-së”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Historiku
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, më 29 janar të këtij viti ka ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Përmes kësaj padie, IKD ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. Gjithashtu, IKD kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.
Ndryshe, sa i përket ndryshimit të rregullores, KPM në atë mbledhje ka shtuar një paragraf (2) në nenin 3 të saj, përmes të cilit u mundësua zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së, përderisa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025.
Konkretisht, paragrafi i shtuar përcakton se “Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
Ndërsa, në këtë padi, IKD ka konsideruar se kjo dispozitë është e kundërligjshme, e vendosur në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të procedurave ligjore. Më tej, në padi theksohet se ndryshimi i kundërligjshëm i kësaj dispozite të Rregullores ka prodhuar pasoja tjera të kundërligjshme, përmes së cilave ka ardhur deri tek zgjedhja e kundërligjshme e kryetarit të ri të KPM-së.
“Përkundër dispozitave të qarta ligjore, në rastin konkret, kryetari i ri i KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, është zgjedhur, sa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025”, thuhet tutje në këtë padi.
Ndërkaq, sa i përket bazës ligjore, në padi thuhet se pikërisht Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Medieve, mbi bazën e të cilit është nxjerrë Rregullorja e kontestuar, në nenin 8 të tij ka përcaktuar obligueshmërinë e zhvillimit të konsultimeve publike në rastet e miratimit të akteve nënligjore.
Tutje, padia thekson se në po të njëjtin nen, paragrafi 2, përcaktohet edhe afati kohor prej së paku 15 ditë pune, të cilin publiku dhe palët e interesuara duhet të kenë në disponim për të komentuar draftin.
Në padi thuhet se përkundër këtij obligimi, KPM në takimin e mbajtur më 17 janar 2024, në të njëjtën ditë ka propozuar dhe po ashtu ka miratuar Rregulloren e kontestuar, pa zhvilluar kurrfarë konsultimi publik.
Sipas kësaj padie, mënyra e veprimit të anëtarëve të KPM-së ku është vendosur për plotësim-ndryshimin e Rregullores, duke shtuar një dispozitë në Rregullore, brenda të njëjtës ditë dhe në mungesë të konsultimeve publike dhe afateve të përcaktuara kohore, qartazi përbën shkelje të ligjit për KPM.
Andaj, në padi thuhet se për këtë arsye, vetë procesi i ndjekur për miratimin e Rregullores së atakuar është i kundërligjshëm dhe të tillë e bën edhe Rregulloren e atakuar përmes kësaj padie.
Mirëpo, përveç procedurës së ndjekur për ndryshimin e kësaj Rregullore, në padi thuhet se kjo Rregullore është në kundërshtim me ligjin edhe për nga materia.
Në padi theksohet se sipas Ligjit për KPM, ka vetëm një moment ligjor se kur mund të zgjidhet kryetari i KPM: në mbledhjen e parë pas përfundimit të mandatit të kryetarit. Ndërsa, thuhet se jashtë kësaj, Ligji në fjalë nuk njeh moment tjetër se kur mund të zgjidhet kryetari i ri i KPM.
Lidhur më këtë, në padi theksohet paragrafi 11 i nenit 15, të Ligjit për KPM, i cili përcakton procedurat e punës së KPM-së.
Konkretisht, padia thekson paragrafin i cili përcakton se “Në mbledhjen e parë anëtarët e KPM-së me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të KPM-së, nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së”.
Sipas kësaj padie, kjo dispozitë ligjore përcakton qartazi zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit për secilën herë që do të zgjidhet.
“Kjo assesi nuk është dispozitë që vlen vetëm për zgjedhjen në herën e parë kur është themeluar institucioni. Sepse po të ishte kështu, atëherë kjo dispozitë do të vendosej në dispozita kalimtare të ligjit bazik dhe jo si pjesë integrale e aktit nënligjor – përkatësisht rregullores së atakuar me këtë padi”, thuhet tutje në padi.
Derisa, në padi theksohet edhe se përmbajtja e dispozitës ku thuhet “në mbledhjen e parë pas mungesës së tyre”, i bie që ligjërisht zgjedhja e kryetarit të ri të KPM-së mund të bëhet vetëm pasi të përfundojë mandati i kryetarit aktual.
Lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, në padi thuhet se kjo është bërë duke u bazuar në Rregulloren e atakuar dhe në kundërshtim me Ligjin për KPM.
“Kështu, Rregullorja e atakuar përmes kësaj padie, tanimë ka krijuar edhe një vendim të kundërligjshëm. Si i tillë, në tërësinë e tij, vendimi i atakuar është arbitrar dhe tërësisht i kundërligjshëm…”, thuhet më tej në këtë padi.
Po ashtu, padia thotë se përkundër miratimit të një Rregulloreje të kundërligjshme që pasoi me një vendim të kundërligjshëm, përsëri, KPM mbeti jofunksionale.
Vendimi i Gjykatës Supreme
Përmes vendimit të 10 qershorit 2025, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke e shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.
“SHPALLET i paligjshëm dhe SHFUQIZOHET paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-2025/01), e miratuar në mbledhjen e mbajtur më datë 17 janar 2025”, thuhet në vendimin e 10 qershorit 2025.
Sipas Supremes, pasi që ky aktgjykim të marrë formën e prerë, dosja e lëndës PA.6/2025, së bashku me shkresat e saj, duhet t’i dërgohet gjykatës së shkallës së parë, për vendosje lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së të datës 17 janar 2025, të kontestuar me padi.
“Ky aktgjykim merr formën e prerë menjëherë pas komunikimit të përmbajtjes dhe arsyetimit të tij palëve, dhe DETYROHET i padituri Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me seli në Prishtinë, që të njëjtin ta publikojë në mënyrë të njëjtë sikurse të miratimit të saj”, thuhet në atë vendim.
Gjykata Supreme pas shqyrtimit të dispozitës ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar, konstatoi mospajtueshmërinë e saj me ligjin në fuqi në kohën e miratimit, nxjerrjes dhe hyrjes në fuqi, me parimet e përgjithshme të së drejtës administrative, dhe me normat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit, neni 25 i Ligjit Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative (LKA), i lejon paditëses- IKD kontestimin e aktit nënligjor me karakter normativ që ka efekt të përgjithshëm dhe zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, si dhe në përputhje me përkufizimin e dhënë sikurse në nenin 3, paragraf 1.1, ku është përcaktuar se akti nënligjor normativ, është një akt, i nxjerrë në bazë të autorizimit të shprehur të një ligji të miratuar nga Kuvendi, që përcakton rregulla të detyrueshme sjellje në mënyrë abstrakte dhe të përgjithshme.
Si rrjedhojë, Supremja thekson se akti normativ i kontestuar nga e paditura është nxjerrë me qëllimin e zbatimit të ligjit të miratuar nga Kuvendi, përkatësisht Ligjit për KPM.
“Nga analiza e përmbajtjes së rregullores në fjalë, Gjykata vlerëson se, ndonëse është emërtuar si akt i brendshëm, ajo në fakt ka natyrë normative, pasi rregullon një çështje të përgjithshme dhe të karakterit institucional që ka ndikim në mënyrën e funksionimit të Komisionit, përkatësisht në procedurën e zgjedhjes së Kryetarit. Një akt i tillë, me efekte të përgjithshme dhe të zbatueshme për raste të ardhshme, duhet të miratohet vetëm në bazë të autorizimit të qartë ligjor dhe me përfshirjen e publikut përmes konsultimit publik, në përputhje me standardet e ligjshmërisë dhe transparencës”, thuhet në vendim.
Shkalla e tretë thekson se Rregullorja e Punës së KPM-së, përmes nenit 3, paragrafi 2, krijon një rregull të përgjithshëm dhe abstrakt, i cili përcakton kohën kur mund të zgjidhet Kryetari/Nënkryetari i KPM-së, përtej një rasti të vetëm, andaj nuk mund të konsiderohet thjesht një akt i brendshëm organizativ, por akt nënligjor normativ, pasi krijon rregulla sjelljeje me efekte për të gjithë anëtarët aktual dhe të ardhshëm të KPM-së dhe për vetë funksionalitetin kushtetues të institucionit.
“Dispozita nuk u drejtohet vetëm individëve të caktuar apo një rasti specifik, por të gjithë anëtarëve aktual dhe të ardhshëm të KPM-së, që do të jenë pjesë e procesit të zgjedhjes së Kryetarit/Nënkryetarit në të ardhmen. Ndërsa, përcaktimi që “zgjedhja mund të bëhet një muaj para skadimit të mandatit”, është rregull procedural abstrakt, që aplikohet në mënyrë të përsëritur sa herë krijohen kushtet në të ardhmen”, thuhet më tej në vendim.
Gjithnjë sipas Supremes, detyrimi për konsultim publik buron nga neni 8 i Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili përcakton qartë se: “Para miratimit të strategjisë, planit të licencimit dhe akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji, KPM-ja është e obliguar që vendimet, përkatësisht draftet e akteve nënligjore t’ua vërë në dispozicion një spektri të gjerë të subjekteve të interesuara”.
“Rregullorja e punës, në momentin që rregullon çështje substanciale si ato që përcaktojnë procedurën e zgjedhjes së Kryetarit, përbën akt nënligjor për zbatimin e ligjit, dhe si e tillë duhet të i nënshtrohet konsultimit publik. Interpretimi kufizues i konsultimit publik nga i padituri është në kundërshtim me frymën e ligjit dhe standardet evropiane për transparencën. Mosrespektimi i detyrimit për konsultim publik bie ndesh me nenin 11 të Ligjit për KPM-në dhe me parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes publike në procesin e nxjerrjes së akteve që rregullojnë çështje me interes të përgjithshëm”, thuhet në vendim.
Andaj, Gjykata Supreme konstatoi se rregullorja është miratuar në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, transparencës dhe pjesëmarrjes publike.
Në vendim thuhet se autoritetet publike nuk mund të veprojnë në mungesë të një baze të përcaktuar në ligj. Aty thuhet se institucionet publike, edhe kur kanë autonomi të caktuar, nuk mund të nxjerrin akte që cenojnë kompetencat e organeve të tjera apo të rregullojnë çështje që ligji nuk i ka autorizuar.
Për Supremen, nuk ishte kontestuese rrethana që i padituri KPM, ka të drejtë të nxjerrë Rregulloren e Punës për Organizimin e Brendshëm Organizativ apo Funksional, por kontestuese ishte rrethana mbi përcaktimin shprehimor të situatës e cila nuk përkon dhe nuk gjen mbështetje në ligjin bazik.
“Gjykata thekson se autonomia institucionale nuk është absolute. Edhe institucionet që veprojnë si institucione të pavarura nuk mund të nxjerrin akte që tejkalojnë kompetencat që u janë dhënë me ligj apo të hyjnë në fushat që i përkasin institucioneve të tjera”, theksohet në vendimin e Supremes.
Në vendim thuhet se ky aktgjykim konfirmon se çdo institucion publik është i kufizuar nga kompetencat që i ka dhënë Kuvendi përmes Kushtetutës dhe Ligjit.
“Përndryshe, krijohet një pasiguri institucionale dhe rrezikohet balanca ndërmjet autoriteteve publike. Ky është një parim kyç në jurisprudencën e të gjitha gjykatave kushtetuese evropiane dhe ndërlidhet me konceptin e shtetit të së drejtës – që autoritetet duhet të veprojnë brenda kufijve të përcaktuar nga ligji dhe në mënyrë të parashikueshme përgjatë ushtrimit të autorizimeve dhe kompetencave të tyre, si dhe gjatë nxjerrjes së akteve nënligjore”, thuhet më tej.
Gjykata vlerëson se paditësja IKD ka specifikuar dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore që pretendon se janë shkelur, gjithashtu ka specifikuar dispozitën e aktit nënligjor të kontestuar që konsiderohet e papajtueshme me ligjin dhe ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e tij.
“Gjykata i ka vlerësuar të pabazuara dhe të paqëndrueshme pretendimet tjera të paditurës, ndër të tjera edhe kur i referohet Rregullores (QRK) nr.17/2024, të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase të njëjtat janë kontradiktore edhe në raport me pretendimet e tjera për pavarësinë funksionale, organizative dhe financiare të të njëjtës”, vlerëson Supremja.