Kërçeli në Kuvend: Opozita po krijon “kriza imagjinare” për qëllime politike në sektorin e energjisë

Prishtinë | 21 Pri 2026 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për çmimet dhe çështjet e energjisë elektrike, duke kritikuar opozitën për, siç tha ai, politizim të debatit, raporton Ekonomia Online.

 Ai e cilësoi këtë seancë si të panevojshme dhe me prapavijë politike, duke adresuar akuza ndaj Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me menaxhimin e sektorit energjetik ndër vite.

“Pajtohem se kjo seancë mund të quhet edhe seanca e prallave, nuk thotë kot populli “mos i pyet se tregojnë vetë”. Regjisorë të këtij shou politik, siç tha edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, janë vetë PDK-ja. PDK-ja, për me u reformu, kanë mbërri deri aty sa po mbajnë mbledhje të këshillit të përgjithshëm për me ftu seancë të jashtëzakonshme. Njësoj si seancat e rrymës, njësoj si ajo e KEK-ut që u privatizua me 26 milionë euro e që kjo qeveri po ju shlyen dënimin në baza ditore. Sot u dëgjuan shumë akuza këtu për lidhje të shkurtra me energji. Na keni akuzuar edhe për lidhje me NOA-n. I lutem prokurorisë të trajtojë çdo pretendim të opozitës për lidhjet e kompanisë NOA me Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo, kishte me qenë shumë mirë ta shikoni se kush ka nënshkruar kontratë për herë të parë me kompaninë NOA më 9 maj 2019, ndërmjet KEK-ut dhe kompanisë NOA. Ishte mirë ju vetë deputetët me hulumtu edhe me i postu në ato rrjetet e juaja sociale, qysh po postoni të pavërteta. Çka është edhe më e keqja, mirë dëgjoni: Kontrata e dytë me NOA-n është nënshkruar më 1 tetor të vitit 2021. Është nënshkruar pikërisht nga një zyrtar që e ka nënshkruar këtë kontratë, i cili ka shërbyer në ZRRE, i cili është votuar gjatë qeverisjes së LDK-së dhe është deleguar gjatë qeverisjes së LDK-së“, tha ai.

Duke vijuar me qëndrimet e tij, Kërçeli foli edhe për kontratat dhe zhvillimet ndër vite në sektorin energjetik, duke përmendur shifra dhe marrëveshje që, sipas tij, lidhen me qeverisjet e kaluara.

“Nga viti 2008 deri në vitin 2013, 141 milionë euro kanë shkuar për Vuk Hamoviqin, që po e përmend deputetja Musliu, por nuk po kthehet në kronologji mbrapa sepse institucionet publike gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë blerë, as nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me kompanitë e Vuk Hamoviqit. Është mirë deputetja në fjalë të tregojë se kush e ka nënshkruar këtë kontratë në atë kohë, si i kanë shkuar 141 milionë euro direkt Vuk Hamoviqit nga KEK-u, edhe t’i postojë në rrjetet e saj sociale. Tepricat e KEK-ut janë nënshkruar më 12 maj 2019 për t’ia shitur pikërisht prapë Vuk Hamoviqit. E këto nuk po përmenden nga deputetët e PDK-së. Shikoni paradoksin: në kohën kur KOSTT-i në mars të vitit 2017 ka vendosur me e ngarku KOSTT-in me humbje në veri, në të njëjtën kohë është nënshkruar në gusht të 2017-ës, i njëjti vit, me Vuk Hamoviqin për mbulimin pikërisht të këtyre humbjeve në veri. U përmend këtu shumë gjatë edhe kompania ITMD. U akuzua një koleg i joni deputet, i cili në këtë kompani nuk është aksionar; bëhet fjalë për një kompani krejt tjetër. Mirëpo, është mirë të na tregojë PDK-ja se familjari i cilit koleg deputet ka lidhje familjare direkte me pronarin e ITMD-së? Këtë është mirë të na tregojë PDK-ja sepse e kanë në grup parlamentar. Dhe tash, edhe seancën e kaluar unë thashë se s’ka krizë. Ka tendenca për kriza imagjinare për zhvendosje të vëmendjes nga tentim-bllokimi i institucioneve. Fushata ka nisur, të nderuar kolegë deputetë, tash e pesë muaj. Veç është një dallim: që nuk i pranoni rezultatet“, u shpreh ai.

Të ngjashme