Ekonomia Online
FUNDIT

Ambasadat i dalin kundër Çitakut, pak pasi tha se s’pret “duartrokitje" nga BE-ja për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Ambasadat i dalin kundër Çitakut, pak pasi tha se s’pret “duartrokitje" nga BE-ja për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Deklarata e ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, se nuk pret që Bashkimi Evropian ta duartrokasë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, është pasuar nga reagime kundërshtuese të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Bashkimi Evropian, Ambasada Britanike, Ambasada Italiane dhe Ambasada Gjermane kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive”, thuhet në reagimin e BE-së.

Po ashtu, BE-ja ka ngritur shqetësime edhe për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, duke kërkuar konsultime paraprake para miratimit të tyre.

“Ne kemi qenë të angazhuar në mënyrë aktive në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive tona tek autoritetet e Kosovës. Këtu përfshihet edhe nevoja për konsultime paraprake përpara miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet më tej në deklaratë.

Edhe Britania e Madhe paralajmëron pasoja në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

Ambasada Britanike në Kosovë ka shprehur shqetësimin se ndryshimet e propozuara nuk do t'u shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe mund të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.

“Ne kemi shqetësimin se ndryshimet e propozuara nuk do t'u shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike.

Ambasada ka theksuar se i kupton reagimet dhe ndjenjat e forta të krijuara pas aktgjykimeve të fundit, por ka kërkuar respektimin e zotimeve ndërkombëtare.

“Besojmë se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke siguruar që vendi të vazhdojë të respektojë zotimet e tij ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet tutje në reagim.

Italia: Konsultimet duhet të zhvillohen para ndryshimeve

Edhe Ambasada e Italisë ka shprehur shqetësim për mundësinë e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Sipas reagimit të ambasadës italiane shqetësimet lidhen me obligimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive.

Gjermania i del në përkrahje qëndrimit të BE-së

Ndërkohë, Ambasada Gjermane në Kosovë ka shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e Bashkimit Evropian.

“Ne pajtohemi plotësisht me këtë deklaratë të BE-së”, thuhet në reagimin e shkurtër të ambasadës gjermane.

Kështu, brenda së njëjtës ditë, katër përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë kanë bërë të ditura qëndrimet dhe shqetësimet e tyre për ndryshimet e propozuara në ligj.

Më herët gjatë ditës, Vlora Çitaku, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se pret kritika për këtë iniciativë, por ka shprehur gatishmëri për konsultime me Bashkimin Evropian dhe palët e tjera të interesuara.

“Nuk pres që Bashkimi Evropian ta duartrokasë këtë iniciativë, por nëse vërtet ka vullnet të mirë, unë jam e bindur që do të gjejmë një gjuhë të përbashkët për të ecur përpara”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja synon që të hënën të nisë procedurën e re për ndryshimin e ligjit dhe që brenda dy javësh ndryshimet të rikthehen në Kuvend për votim.

Çitaku ka insistuar se qëllimi i iniciativës nuk është ndërhyrja në drejtësi, por, sipas saj, korrigjimi i një procesi që ajo e konsideron të deformuar.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës ka votuar sot mocionin procedural për përfshirjen në rend të ditës të çështjes së Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Votimi i mundshëm për ligjin është paralajmëruar për të premten, ndërsa reagimet ndërkombëtare kanë kërkuar që para çdo ndryshimi të zhvillohen konsultime me partnerët ndërkombëtarë.

Të ngjashme