Komuna e Gjakovës është pranuar zyrtarisht si anëtare e re e Ligës së Qyteteve Historike, gjatë Konferencës së 20-të Botërore të Qyteteve Historike, e cila u mbajt në Himeji të Japonisë.
Gjakova pranohet në Ligën Botërore të Qyteteve Historike

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka theksuar se anëtarësimi përbën një mundësi të re për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e kulturës, turizmit dhe zhvillimit ekonomik.
“Gjatë punimeve të konferencës, para pjesëmarrësve në konferencë prezantova historinë dhe trashëgiminë kulturore të Gjakovës, si dhe fola për gatishmërinë tonë për bashkëpunim me qytetet e tjera anëtare”, thuhet në njoftim.
Vizita zyrtare ka përfunduar në Kyoto, ku ai ka mbajtur fjalën përmbyllëse gjatë një darke të organizuar nga kryetari i këtij qyteti.
“Takimet e zhvilluara me kryetarë të qyteteve japoneze dhe përfaqësues të vendeve të tjera hapin rrugë për shkëmbim të përvojave dhe projekte konkrete në fushën e kulturës, turizmit dhe zhvillimit ekonomik”.
Po ashtu, është vlerësuar se pjesëmarrja e Gjakovës në këtë organizatë përbën një kontribut për rritjen e pranisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

















