Ekonomia Online
FUNDIT

Doktor Geci, deputeti i VV-së përfundon studimet e doktoratës: Do t’i përkushtohem më shumë politikës

Doktor Geci, deputeti i VV-së përfundon studimet e doktoratës: Do t’i përkushtohem më shumë politikës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka njoftuar se ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës, duke fituar titullin akademik Doktor i Shkencave të Ekonomisë, në fushën e Bankave, Financave dhe Kontabilitetit.

“Me krenari dhe emocion të veçantë ju njoftoj se, pas një rrugëtimi të gjatë, disa-vjeçar dhe intensiv akademik, kam përmbyllur me sukses mbrojtjen publike të disertacionit të doktoratës dhe kam fituar titullin akademik Doktor i Shkencave të Ekonomisë, në fushën Banka, Financa dhe Kontabilitet. Ky nuk është vetëm përfundimi i një cikli studimesh, por kurorëzimi i viteve të punës, kërkimit shkencor, sakrificës, disiplinës dhe përkushtimit ndaj dijes. Ky kapitull i karrierës akademike më jep përgjegjësi shtesë për angazhimin tim shkencor”, shkroi në Facebook.

Tash deputeti i VV-së nga Drenica thotë se do të ketë kohë më shumë të angazhohet në politikë në shërbim të publikut.

“Tani, pas përfundimit të këtij rrugëtimi akademik, dua që energjinë dhe përvojën e fituar ta përqendroj edhe më intensivisht në angazhimin politik dhe institucional. Përgjatë viteve të studimeve të doktoratës, ngarkesa e madhe akademike dhe kërkimore më ka kufizuar kohën për angazhime të tjera. Sot, me këtë kapitull të përmbyllur, jam i gatshëm të sjell më shumë nga përgatitja ime profesionale, akademike dhe ndërkombëtare në shërbim të publikut”, shtoi.

Ndryshe, më 21 prill 2026, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, Geci kishte shkaktuar reagime të shumta pasi kishte kërkuar që ish-presidenti Hashim Thaçi të dënohej me burgim të përjetshëm, duke iu referuar dënimit të Naim Murselit.

“Uroj që Hashim Thaçin ta përcjellë fati i Naim Murselit. Edhe po të kthehet, nuk ka kurrfarë fuqie përballë Albin Kurtit”, kishte deklaruar Geci.

Deklarata e tij kishte nxitur reagime nga deputetë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. Edhe përfaqësues të Vetëvendosjes ishin distancuar nga qëndrimi i tij, ndërsa kryetarja e Kuvendit i kishte tërhequr vërejtjen gjatë seancës.

Pas reagimeve, Geci kishte dalë me një sqarim publik, duke shprehur respekt për luftën e UÇK-së, por duke thënë se qëndrimet e tij ndaj individëve të caktuar lidhen me përvojat e familjes së tij dhe me Komunikatën 59.

Të ngjashme