Ekonomia Online
FUNDIT

Prokuroria e Shtetit shqyrton ndryshimin e procedurave për ankesat ndaj vendimeve të prokurorëve

Prokuroria e Shtetit shqyrton ndryshimin e procedurave për ankesat ndaj vendimeve të prokurorëve

Me qëllim të zbatimit unik të praktikave, rritjes së efikasitetit dhe profesionalizmit në vendimmarrje brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit, grupi punues i themeluar me vendim të Kryeprokurorit të Shtetit ka mbajtur takim për shqyrtimin dhe përmirësimin e udhëzimit që rregullon procedurat e shqyrtimit të ankesave kundër vendimeve të prokurorëve për hedhjen e kallëzimeve penale dhe pushimin e hetimeve.

Në takimin e kryesuar nga Zëvendëskryeprokurori i Shtetit, z. Bahri Hyseni, morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe përfaqësuesja e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Gjatë takimit u diskutuan sfidat e evidentuara në zbatimin praktik të udhëzimit, me fokus në qartësimin e procedurave, harmonizimin e praktikave dhe respektimin e pavarësisë profesionale të prokurorëve.

Nga diskutimet u trajtua nevoja për identifikimin e çështjeve që kërkojnë ndryshim apo plotësim, me synim sigurimin e zbatimit më të njëtrajtshëm dhe efikas të udhëzimit në sistemin prokurorial.

Grupi punues do të vazhdojë punën për hartimin e rekomandimeve konkrete, të cilat do t’i paraqiten Kryeprokurorit të Shtetit për shqyrtim dhe veprim të mëtejshëm.

Të ngjashme