SPERTK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për protestën e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në kërkesat e tyre legjitime për rritjen e pagave dhe realizimin e pagës së 13-të.
SPERTK në mbështetje të plotë të protestës së Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK)

Kërkesat e punëtorëve për paga dinjitoze dhe trajtim të barabartë janë të drejta dhe të domosdoshme, veçanërisht në kohën kur inflacioni dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve kanë rënduar jashtëzakonisht jetën e punëtorëve dhe familjeve të tyre.
Me këtë rast, SPERTK rikujton se edhe punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) përballen me të njëjtat sfida dhe kanë të njëjtat kërkesa për rritje të pagave dhe pagën e 13-të.
Punëtorët e RTK-së janë anashkaluar në vazhdimësi nga masat e mbështetjes ekonomike dhe trajtimi i barabartë, pavarësisht se edhe ata janë goditur drejtpërdrejt nga inflacioni dhe rënia e fuqisë blerëse.
Ne besojmë se nuk duhet të ketë punëtorë të privilegjuar dhe punëtorë të harruar. Dinjiteti, mirëqenia dhe trajtimi i barabartë duhet të vlejnë për të gjithë.
SPERTK qëndron në mbështetje të protestës së punëtorëve të KEK-ut dhe njëkohësisht kërkon që edhe kërkesat e punëtorëve të RTK-së për rritje pagash dhe pagën e 13-të të trajtohen me seriozitet dhe të realizohen.















