Ekonomia Online
FUNDIT

Dënohet me 6 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë i akuzuari për trafikim me njerëz

Dënohet me 6 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë i akuzuari për trafikim me njerëz

Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit A.P., duke e dënuar me 6 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Trafikimi me njerëz”.

Sipas njoftimit, aktgjykimi u shpall nga gjyqtari Samedin Cena.

Gjykata thekson se i pandehuri u dënua me 6 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, i cili dënim do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri ngarkohet se të dëmtuarën e solli për të punuar në Gjakovë, ku më pas e dërgoi për të punuar në lokalin e tij të muzikës live në Pejë, e më pas në një lokal tjetër.

“I pandehuri A.P., akuzohet se “ nga muaji mars i vitit 2021 deri më 30.01.2024, në Gjakovë, merr pjesë në trafikimin me njerëz, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe veprimeve të tjera të dhunshme e kontrolluese, të përcjella me maltretim fizik dhe psikik, me qëllim të shfrytëzimit për përfitim të të dëmtuarës A.V. nga Prishtina, ashtu që i pandehuri, pasi fillimisht kishte krijuar kontakt me të përmes rrjeteve sociale dhe ishte takuar në lokalin e tij në Deçan, më pas e sjell për të punuar në lokalin e tij “S.”, në Gjakovë, nga muaji mars deri në prill të vitit 2021. Gjatë kësaj periudhe, e dërgon dhe e mban në banesën e tij në Gjakovë, gjoja për shkak të marrëdhënies së dashurisë. Më pas, nga muaji maj i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2022, e dërgon për të punuar në lokalin e tij me muzikë live në Pejë, ndërsa deri në muajin nëntor të vitit 2022 e dërgon në fshatin Volljak, Komuna e Klinës, për të punuar po ashtu në një lokal me muzikë live”, thuhet në njoftim.

Kurse, në fund thuhet se e solli në Gjakovë dhe e detyroi të punonte po ashtu në një lokal të muzikës live dhe paratë ia merrte i pandehuri.

“Në fund, e sjell në Gjakovë, ku e detyron të punojë në lokalin me muzikë live “Te X.”, deri në muajin tetor të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara detyrohet të punojë kundër vullnetit të saj, ndërsa të gjitha të ardhurat nga puna e saj i merr i pandehuri. Në rastet kur paratë nga puna e kryer nuk merreshin drejtpërdrejt nga lokalet, i pandehuri e detyronte të dëmtuarën që t’ia mbulonte obligimet e tij financiare, si qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet mujore të kredisë.”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme