Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) ka organizuar konferencën vjetore të Konsorciumit të Institucioneve për Zhvillim dhe Hulumtim në Arsim në Evropë (CIDREE), me temën “Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve gjatë Shërbimit – Praktikat Aktuale, Sfidat, Trendet dhe Mundësitë”, raporton Ekonomia Online.
IPK organizon konferencën vjetore të CIDREE-s, diskutohet zhvillimi profesional i mësimdhënësve

Amantina Pervizaj-Kelmendi nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, gjatë konferencës, ka folur për bashkëpunimin e institutit me rrjetin CIDREE, duke theksuar pjesëmarrjen në takime të ekspertëve, projekte të përbashkëta dhe vizita studimore.
Ajo ka përmendur projektin e vitit 2022 për sigurimin e cilësisë në arsim, si dhe pjesëmarrjen e institutit në projektin MASA gjatë vitit 2026.
“Në vitin 2022, angazhimi ynë vazhdoi me dy takime të ekspertëve, njëri në Beograd dhe tjetri i organizuar në formë online. Ndërsa në vitin 2024, instituti ynë mori pjesë në një takim të ekspertëve në Arosa të Zvicrës, i cili u përqendrua në monitorimin dhe parandalimin. Krahas këtyre takimeve, instituti ynë ka qenë i përfshirë edhe në projekte të përbashkëta dhe vizita studimore, të cilat kanë ofruar mundësi të vlefshme për zhvillim profesional dhe bashkëpunim institucional. Në vitin 2022, Kosova mori pjesë në projektin “Sigurimi i cilësisë në arsim: Një qasje strategjike ndaj leximit”, i cili përfshiu një takim të ekspertëve në Beograd, një vizitë studimore në Lubjanë dhe një takim online të ekspertëve. Së fundmi, në vitin 2026, instituti ynë e ka zgjeruar më tej angazhimin përmes pjesëmarrjes në projektin MASA, të udhëhequr nga Irlanda, si dhe përmes takimeve të shkëmbimit të njohurive dhe aktiviteteve të tjera profesionale brenda rrjetit. Gjatë gjithë këtyre viteve, vazhdimësia e bashkëpunimit tonë është mbështetur gjithmonë nga puna e koordinatorëve tanë nacionalë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e komunikimit dhe forcimin e lidhjes ndërmjet institutit tonë dhe konsorciumit CIDREE”, ka thënë ajo.
Në këtë konferencë ka folur edhe Rebecca Satterfield, përfaqësuese e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka veçuar bashkëpunimin e Kosovës me programin Fulbright, duke e cilësuar vendin si një nga partnerët më të fuqishëm të këtij programi në botë.
“Dëshiroj ta veçoj në mënyrë të posaçme Kosovën, e cila është një nga partnerët më të fuqishëm të programit Fulbright kudo në botë. Kosova kontribuon për frymë në programin Fulbright më shumë se çdo shtet tjetër në botë. Mendoj se kjo është e jashtëzakonshme. Ambasada e SHBA-së është gjithashtu shumë e lumtur që në fillim të kësaj vere e kemi zgjatur marrëveshjen për programin Fulbright me Kosovën edhe për pesë vjet të tjera. Prandaj, falënderoj shumë Ministrinë e Arsimit për përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj programit Fulbright në Kosovë. Ky përkushtim është një shembull që duhet ta ndjekin edhe shtetet e tjera. Sot, Kosova ka më shumë se 200 ish-pjesëmarrës të programit Fulbright. Shumë prej tyre janë rektorë, profesorë dhe udhëheqës të institucioneve arsimore. Ndoshta disa prej jush që jeni këtu sot jeni edhe përfitues të programeve të tjera të shkëmbimit të qeverisë amerikane. Besoj se së fundmi, Instituti Pedagogjik ka mirëpritur edhe një ekspert të programit Fulbright, i cili ka ndihmuar në hartimin e planifikimit strategjik”, ka thënë ai.
“Partneriteti i Ambasadës së SHBA-së me Kosovën në fushën e arsimit shkon përtej bursave për shkëmbime universitare në Shtetet e Bashkuara dhe shtrihet edhe në vetë klasat shkollore. Kemi punuar ngushtë me institucionet dhe partnerët arsimorë të Kosovës, përfshirë Rrjetin e Mësimdhënësve të Gjuhës Angleze në Kosovë (KETN). Së bashku, kemi sjellë ekspertizë amerikane në trajnimin e mësimdhënësve, si dhe u kemi ofruar mësimdhënësve kosovarë mundësi për zhvillim profesional në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Satterfield.















