Ekonomia Online
FUNDIT

Prishtina synon arsim të barabartë për të gjithë, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit

Prishtina synon arsim të barabartë për të gjithë, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit

Në funksion të promovimit të barazisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim, mes komunës së Prishtinës dhe ambasadoreës së Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit në kuadër të fushatës “Edukimi i Barabartë – E Ardhme e Barabartë”, raporton Ekonomia Online.

Përmes kësaj marrëveshjeje synohet krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë te kategoritë e margjinalizuara, duke fuqizuar përfshirjen dhe qasjen e barabartë në arsim.

Shala, tha se marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, në kuadër të fushatës “Edukimi i Barabartë”, e cila synon përfshirjen e të gjitha kategorive të shoqërisë në mënyrë të barabartë.

“Ne e nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, në kuadër të fushatës për edukim gjithëpërfshirës ‘Edukimi i Barabartë’, e cila synon të përfshijë të gjitha kategoritë në mënyrë të barabartë në shoqëri”, tha Shala.

Ajo theksoi se e drejta për arsim është një e drejtë bazike dhe se institucionet duhet të krijojnë më shumë mekanizma për edukim gjithëpërfshirës.

“Besoj se kjo do t’u shërbejë jashtëzakonisht shumë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që ta kuptojnë më saktë se e drejta bazike është e drejta për arsim dhe se secili duhet të përfshihet. Mbi të gjitha, duhet që institucionet, jo vetëm ato lokale, por edhe ato shtetërore e qendrore, të krijojnë më shumë mekanizma për një arsim gjithëpërfshirës”, tha Shala.

Kurse, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se angazhimi është për të mirën e secilit qytetar, pa marrë parasysh prejardhjen e tij, duke theksuar veçanërisht qytetarët që u përkasin kategorive të margjinalizuara.

“Për të mirën e secilit qytetar, pra, secili qytetar, pa marrë parasysh prej nga vjen. Ne kemi një theks të veçantë te qytetarët të cilët janë në kategoritë e margjinalizuara, pa dallim të prejardhjes, gjinisë, gjendjes sociale, aftësive apo përkatësisë. Pra, të gjithë janë të barabartë në kryeqytet”, tha Rama.

Të ngjashme