Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me angazhimin e operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Sveçla: PDK-ja dikur kundërshtonte angazhimin e operatorëve privatë për mbeturinat, sot po e bën vetë

Përmes një postimi, Sveçla ka thënë se çdo veprim konkret dhe ligjor që kontribuon në zgjidhjen e problemit me mbeturinat në Prishtinë është i mirëseardhur, por ka rikujtuar se një zgjidhje e tillë ishte provuar edhe në vitin 2024, kur sipas tij, PDK-ja e kishte kundërshtuar.
Ai ka theksuar se në atë kohë, kundërshtimi i PDK-së ishte arsyetuar me rrezikun e falimentimit të ndërmarrjes publike “Pastrimi”, ndërsa angazhimi i operatorëve privatë ishte ndaluar edhe përmes një rregulloreje që, sipas Sveçlës, vazhdon të jetë në fuqi.
“Çdo veprim konkret dhe ligjor që i shërben zgjidhjes së problemit me mbeturinat në Prishtinë është i mirëseardhur. Angazhimi i operatorëve privatë, siç ndodhi sot, ishte provuar edhe në vitin 2024. Atëherë, PDK-ja e kundërshtonte këtë zgjidhje me arsyetimin se po rrezikohej falimentimi i ndërmarrjes publike ‘Pastrimi’. Madje, angazhimin e operatorëve privatë e kishin ndaluar edhe përmes një rregulloreje, e cila ende është në fuqi”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, e njëjta parti që dikur e kundërshtonte këtë mënyrë të menaxhimit të mbeturinave, sot po e mbështet dhe po e realizon atë.
Sveçla ka pretenduar se ky ndryshim qëndrimi dëshmon se kundërshtimi i mëhershëm i PDK-së nuk kishte të bënte me shqetësimin për falimentimin e ndërmarrjes publike, por me atë se kush i negocion dhe i nënshkruan marrëveshjet me operatorët privatë.
“Sot, e njëjta parti po e mbështet dhe po e realizon atë që dikur e kundërshtonte. Ky ndryshim qëndrimi dëshmon se shqetësimi i tyre i vërtetë asnjëherë nuk ishte falimentimi i ‘Pastrimit’, por kush i negocion dhe i nënshkruan marrëveshjet dhe kontratat me operatorët privatë”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka thënë se, sipas tij, për këtë qëndrim të PDK-së, Prishtina është përballur me krizën e mbeturinave.
“Për këtë ‘shqetësim’ të tyre, Prishtina është shndërruar në deponi të bërllogut”, ka shkruar Sveçla.
















