Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës u janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me kërkesën për rritjen dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për shërbimet sociale në kuadër të buxhetit për vitin 2027.
OJQ-të kërkojnë rritjen e financimit për shërbimet sociale në buxhetin e Kosovës për vitin 2027

Tri organizatat theksojnë se financimi i shërbimeve sociale duhet të trajtohet si prioritet publik dhe të reflektohet në vendimmarrjen buxhetore të Kuvendit, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, grave dhe familjeve në Kosovë.
Në kërkesën e tyre, organizatat i referohen rasteve tragjike të dhunës, përfshirë vrasjen e Arlinda Zekajt, pas raportimeve dhe kërkesave të përsëritura për mbrojtje, si dhe vrasjen e një foshnjeje tre muajshe në Gjilan.
Sipas tyre, këto raste dëshmojnë nevojën urgjente për forcimin e mekanizmave institucionalë të mbrojtjes, identifikimin e hershëm të rrezikut dhe ndërhyrjen në kohë.
Organizatat vlerësojnë se mbrojtja efektive e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave kërkon vlerësim të vazhdueshëm të rrezikut, masa konkrete sigurie, koordinim ndërinstitucional dhe qasje në shërbime të specializuara, si strehimi i sigurt, mbështetja psikosociale dhe ndihma juridike.
Njëkohësisht, ato kërkojnë forcimin e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve, përmes profesionistëve të mjaftueshëm, menaxhimit të koordinuar të rasteve dhe ndërhyrjeve që bazohen në interesin më të mirë të fëmijës.
KOMF, me 35 organizata anëtare, dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, me 108 organizata anëtare, së bashku me Asociacionin e Qendrave për Punë Sociale, kërkojnë nga deputetët që gjatë shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit për vitin 2027 të sigurojnë mjete të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për ofrimin e shërbimeve sociale.
Sipas organizatave, investimi në shërbimet sociale është thelbësor për parandalimin e rasteve të rënda, mbrojtjen e personave në rrezik dhe garantimin e mirëqenies së fëmijëve, grave dhe familjeve në Kosovë.
















