Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka komentuar ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila ishte planifikuar të mbahej sot në orën 14:00, por u shty për nesër në orën 11:00, pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi ta ndërpresë për shkak të vonesave të deputetëve për të hyrë në sallë, raporton Ekonomia Online.
Sadiku për ndërprerjen e seancës: Kryetarja ndërpreu seancën me plot të drejtë, por dje u sulmuam për mungesat

Sadiku është shprehur se pajtohet me vendimin e kryetares së Kuvendit, duke theksuar se deputetët duhet të tregojnë më shumë seriozitet dhe përgjegjësi në punën e tyre.
“Kryetarja ndërpreu seancën me plot të drejtë, unë pajtona, sepse deputetët nuk po vijnë në sallë ose po vonohemi”, deklaroi Sadiku.
Megjithatë, ai ka kritikuar atë që e konsideron si mospërputhje mes deklarimeve të bëra një ditë më parë ndaj deputetëve të opozitës, veçanërisht atyre të LDK-së, dhe situatës së krijuar sot në Kuvend.
“Është interesant se kjo ndodhi një ditë pasi që ne u sulmuam, sidomos deputetët e opozitës, e sidomos LDK-së, me fotografi dhe me fjalë prej Dejonës, e prej zotëri Manxhuka për mungesë, ndërsa vetëm 24 orë më vonë u tregua serioziteti i deputetëve të tyre, gjithë deputetëve të Kuvendit, edhe u dasht me u ndërpre për shkak të joseriozitetit”, u shpreh ai.
Deputeti i LDK-së ka thënë se pajtohet që për këtë çështje duhet të ndërmerren masa, ndërsa ka kërkuar që deputetët ta lexojnë dhe ta zbatojnë më me kujdes Rregulloren e Kuvendit.
“Pajtohemi që duhet me marrë masa lidhur me këtë çështje, me pasë, po Rregullorja, me u lexu pak më mirë prej gjithëve edhe me qenë pak më serioz në punë”, theksoi Sadiku.
Ai e cilësoi si jo të mirë faktin që deputetët e opozitës, sipas tij, u kritikuan për mungesë vetëm një ditë para se të ndodhte një situatë e ngjashme në Kuvend.
“Por është jo e mirë që po sulmohemi 24 orë më herët, edhe mbas 24 orë po del komplet e kundërta”, përfundoi Sadiku.
Seanca e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë nesër në orën 11:00.














