Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që pritet të mbahet të premten në Kuvendin e Kosovës.
Ambasada Italiane: Ndryshimet në Ligjin për Specialen vënë në pikëpyetje zotimet ndërkombëtare

Sipas Ambasadës, ndryshimet e propozuara mund të cenojnë disa prej parimeve themelore të drejtësisë, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit dhe mbrojtjen e viktimave e dëshmitarëve.
“Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në deklaratë thuhet se këto ndryshime ngrenë pikëpyetje lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.
Ambasada italiane ka bërë të ditur se, që nga kthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim, ka qenë aktive në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive të saj tek autoritetet kosovare.
Ajo ka theksuar se çdo ndryshim ligjor duhet të paraprihet nga konsultimet përkatëse, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar”, thuhet më tej në reagim.
Ambasada ka vlerësuar se miratimi i ligjit në formën aktuale nuk do të ishte në interes të Kosovës dhe as të personave të dënuar së fundmi nga Dhomat e Specializuara.
“Ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përfshirjen e tij në rendin e ditës, ndërsa për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula nevojiten të paktën 61 vota. Pas rimiratimit, pritet të nisë një proces i ri për ndryshimin e ligjit.
Ligji për Specialen pritet të shqyrtohet në vazhdimin e seancës plenare, të premten.














