Elezi: Numërimi i fletëvotimeve nga përfaqësitë diplomatike drejt fundit, pasdite fillon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po përfundon numërimin e fletëvotimeve nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit, ndërsa pasditen e së shtunës pritet të nisë procesi i numërimit të votave përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Ekonomia Online tha se gjatë ditës janë duke u numëruar fletëvotimet e 10 vendvotimeve të fundit nga 40, ku ka pasur proces votimi në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar kanë votuar 16,165, apo 84.24%.

“Gjatë ditës së shtunë janë duke u numëruar fletëvotimet e 10 vendvotimeve të fundit nga 40, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit. Më 27 dhjetor 2025, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165, apo 84.24%. Këto fletëvotime janë në proces numërimi”.

“Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve, pasditen e së shtunës, KQZ do të vazhdojë me numërimin e votave që i takojnë votimit përmes postës dhe që deri më tani janë sjellur në Kosovë.”, tha ai. 

Ai bëri të ditur se nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr mbi 28,500 pako me fletëvotime. Pas verifikimit, 27,600 zarfe janë aprovuar për numërim, ndërsa më shumë se 950 janë refuzuar kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit të votuesit.

“Ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlijn dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së”.

“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime”.

“Në votimin me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë dhe pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare, do të dihet se sa prej votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës”, tha ai. 

Të ngjashme