Aktori turk, Can Yaman është arrestuar në Turqi pas një operacioni për trafikimin dhe konsumimin e substancave narkotike mes personazheve të famshëm e gazetarëve në Stamboll.
Ylli turk me origjinë shqiptare është shumë i njohur në Itali për rolet e tij protagoniste në seriale të famshme dhe është arrestuar bashkë me gjashtë persona të tjerë, mes tyre aktorja Selen Görgüzel.
Shtatë të arrestuarit u janë nënshtruar analizave në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar nëse, kur dhe cilat substanca kanë përdorur. Policia ka kryer arrestime mbrëmjen e kaluar në nëntë klube nate në metropolin e Bosforit, duke arrestuar disa shpërndarës droge dhe menaxherët e këtyre pikave ku shiteshin lëndët narkotike.
Në javët e fundit, gjatë këtij operacioni janë arrestuar mbi 20 personazhe të famshëm nga industria e argëtimit. Operacionet janë kryer nga Zyra e Hetimit kundër Kontrabandës, Trafikimit të Lëndëve Narkotike dhe Krimeve Ekonomike.
Hetimi, i cili zhvillohej prej javësh, kishte identifikuar mbi 20 të famshëm që vëzhgoheshin. Sipas mediave turke, zyra e prokurorit nuk kishte lëshuar mandat arresti për Can Yaman për këtë hetim.
Aktorit iu gjendën lëndë narkotike gjatë kontrollit të njërit prej klubeve dhe u arrestua menjëherë./tvklan.al