Osmani s’është e padiskutueshme për LVV-në, partia e Kurtit çon mesazh se “mbeten të hapura” opsionet për Presidentin

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Vjosa Osmani po kërkon të rizgjidhet presidente për t’i vazhduar “punët e mira dhe të përbashkëta” me Albin Kurtin, partia e të cilit aktualisht nuk e ka opsion të padiskutueshëm emrin e 43-vjeçares për pozitën e shefes së shtetit. Në LVV thanë së fundmi se kandidatura e saj “do të trajtohet”, por edhe një gjë më të rëndësishme: “opesionet mbeten të hapura”.

Lëvizja Vetëvendosje i ka “opsionet e hapura” për çështjen e presidentit, pavarësisht synimit të deklaruar hapur nga Vjosa Osmani për t’u rizgjedhur.

Presidentes të martën i shkoi edhe një mesazh nga LVV-ja. Në partinë e Albin Kurtit nuk janë të përcaktuar për emrin e personit që duhet të jetë në karrigen e shefit të shtetit për pesë vitet e ardhshme.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Artan Abrashi tha dje se opsionet për presidentin “mbeten të hapura”.

“Natyrisht çështja e kandidaturës së zonjës Osmani do të trajtohet, por pa u mbledhur forumet tona vendimmarrëse nuk është se mund ta them një qëndrim zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket çështjes së presidentit”, tha ai në një intervistë për KosovaPress.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar “një figurë konsensuale” që e “rikthen besimin mes të gjitha subjekteve parlamentare dhe që nuk shihet si palë politike, por si figurë unifikuese” për president/e të vendit.

Abrashi e quajti “absurde” këtë kërkesë, duke shtuar se “pozita e presidentit është mjaft politike dhe ne nuk mund ta gjejmë një person i cili nuk është politik”.

Abdixhiku duket se nuk po e mendonte Osmanin si opsion, kur tha se në pozitën e presidentit duhet një “figurë konsensuale”.

“Partitë parlamentare, përkatësisht 80 deputetë, duhet të gjejnë dhe të zgjedhin një figurë konsensuale që ruan integritetin kushtetues, që rikthen besimin mes të gjitha subjekteve parlamentare dhe që nuk shihet si palë politike, por si figurë unifikuese e shtetit.  Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti parlamentare, është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces serioz ndërpartiak që synon ndërtimin e këtij konsensusi dhe zgjedhjen e një figure që përfaqëson shtetin”, tha ai të hënën për Kohën.

Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë ka thënë së fundmi se sheh “mundësi jo vetëm teorike, por edhe praktike” që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, pasi të konstituohet Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, pasi “80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme”. Por ai nuk e ka mbyllur mundësinë që të propozojnë emër tjetër përveç Osmanit. Kurti ka thënë se “nuk mund të diskutojmë për hapin e katërt pa tre të parët”, duke përmendur konstituimin e Kuvendit, votimin e qeverisë dhe votimin e buxhetit të këtij viti.

Osmanit i përfundon mandati më 7 prill. Një muaj para kësaj date, vendi duhet ta zgjedhë një president me mandat të plotë.

Të ngjashme