Prishtina ndez qirinj në përkujtim të viktimave të gjenocidit serb në Kosovë

Prishtinë | 15 Jan 2026 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Në përvjetorin e masakrës së Reçakut, në Prishtinë janë ndezur qirinj për nder të viktimave të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Duke kujtuar se si më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, Adnan Asllani, zëvendës-kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, tha se kanë bërë një kërkesë për institucionet që lulëkuqja të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit.

“Ky është viti i gjashtë që ne organizojmë ndezjen e qirinjve në shenjë kujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë. Fjala është për të gjitha viktimat, për 10 mijë civilët e vrarë dhe për gjithë ato viktima të gjenocidit që i ka planifikuar shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kujtojmë se parlamenti i Kosovës më 16 maj të vitit 2019 ka miratuar një rezolutë që ka caktuar datën 15 janar si ditë e përkujtimit të viktimave të gjenocidit. Data 15 janar përkon me aktet më të tmerrshme gjenocidale, siç është masakra e Reçakut, dhe sot ndezim qirinj jo vetëm për masakrën e Reçakut, por për të gjithë ata të rënë, familjarët të cilëve u është marrë jeta dhunshëm nga forcat serbe. Sot është një ditë e rëndësishme për ne. Ne përfaqësojmë lulëkuqen me katër petale dhe kemi bërë një kërkesë për institucionet që lulëkuqja të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit. Deri sot, institucionet kanë hezituar ta vendosin lulëkuqen si simbol”, tha ai.

Bujar Dugolli, foli në cilësinë e kryetarit të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe theksoi se krimet e fundit të kryera në Kosovë janë të dokumentuara mjaftueshëm.

“Edhe sot ne po bëjmë, në aspektin simbolik, ndezjen e qirinjve për të kujtuar qindra mijëra viktima të krimeve të gjenocidit të Serbisë që i ka kryer në Kosovë. Siç dihet, projektet e gjenocidit dhe gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës në një periudhë 86-vjeçare kanë ndodhur katër herë. E para ka qenë gjatë viteve 1912-1913, e dyta gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, e treta nga viti 1945 deri në vitin 1966, në kuadër të regjimit të Rankoviqit, dhe periudha e fundit e zbatuar në Kosovë është periudha e luftës së fundit, 1998-1999. Kjo periudhë është më e dokumentuara, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar. Pra, krimet e gjenocidit që kanë ndodhur në Kosovë janë të dokumentuara, gjë që është një bazë e fortë që Serbia, si shtet gjenocidal, të akuzohet për krimet që ka shkaktuar në Kosovë, çdoherë kurdo që kërkohet drejtësi”, tha ai.

Të ngjashme