Anëtari i LDK-së, Grainca: Strukturat e duan dorëheqjen e Abdixhikut

Prishtinë | 15 Jan 2026 | 20:48 | Nga Ekonomia Online

Blerim Grainca, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se strukturat e kësaj partie e duan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas tij, në LDK është një grup që dëshiron edhe ruajtjen e gjendjes aktuale, por Grainca ka thënë se struktura e kërkon ndryshimin.

“Problemet e LDK-së s’janë të sotme, por të akumuluara për periudhë disavjeçare, sidomos me lidershipin aktual. Sot në LDK ka vlime të natyrave të ndryshme, por jo që kjo të konceptohet si luftë midis individëve. Mendoj se sot ka luftë konceptesh, idesh dhe rreth asaj që duhet të respektohet institucioni i përgjegjësisë dhe statuti i LDK-së. Nëse i referohemi kësaj, normalisht që ka një rrymë, disa individë të bashkuar, kryesisht ky grupi i njerëzve të ardhur në LDK nga subjekte të tjera politike dhe grupi i humbësve, atyre që kanë humbur zgjedhjet brenda subjektit… janë pothuajse të njëjtit 90 për qind, që insistojnë me çdo kusht që LDK-ja të mbetet kështu siç është që të mos ketë ndryshime, të mos ketë institucion të përgjegjësisë. Dhe e kemi anëtarësinë e LDK-së, strukturat që janë të shtrira në të gjithë Kosovën, që kërkojnë që zoti Abdixhiku, kryetari aktual për shkak të rezultateve të dobëta, performacës së dobët dhe keqmenaxhimit për periudhë të caktuar të japë dorëheqje. Këtë gjë ai në një formë e ka bërë, por më shumë është lojë fjalësh sesa një akt i vërtetë moral i përgjegjësisë sepse s’mund të thuash se po jap dorëheqje dhe po e dërgoj në Kuvend. Kuvendi nuk miraton dorëheqje, ajo veç i shkon dhe është akt i kryer dhe vetëm e zgjedh kryetarin e ri. Veprimi është në kundërshtim me statutin e LDK-së dhe natyrën dhe filozofinë e LDK-së”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Të ngjashme