Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Salih Zyba e kanë konfirmuar se do të paraqiten në seancën gjyqësore që do të mbahet sot.
Pacolli, Zyba së bashku me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, akuzohen për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.
Ndërkohë Sveçla nuk u është përgjigjur thirrjeve të Kohës lidhur me pyetjen nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme.
Në seancën e mbajtur më 31 tetor, gjyqtari Sabit Sadikaj pati paralajmëruar se kushdo që do të mungojë në seancë, ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest, me kërkesë eventuale për paraburgim.
“Secila palë që mungon, ndaj asaj pale të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit eventual”, pati thënë gjyqtari Sadikaj.
Seanca pritet të nisë në orën 13:20.
Sipas aktakuzës së ngritur për rastin, më 21 mars të 2018-s, nga ora 12:10 e deri në 15:40, të tre të akuzuarit kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, ku ka qenë duke u mbajtur seancë plenare lidhur me votimin e demarkacionit me Malin e Zi. Në aktakuzë thuhet po ashtu se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët janë detyruar që ta lirojnë sallën e Kuvendit, me ç’rast është pamundësuar vazhdimin e seancës. Gazi lotsjellës është përdorur gjatë seancës së jashtëzakonshme.