Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha ka kujtuar 44-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, duke theksuar se jeta dhe vepra e tyre mbeten frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë.
“Sot, në 44-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, bashkë me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti, ishim në Dubovik të Deçanit për të bërë homazhe dhe për të kujtuar jetën dhe veprën e këtyre heronjve tanë”, ka shkruar Basha.
Ai ka rikujtuar se tre veprimtarët u vranë në atentat nga UDB-ja jugosllave për shkak të angazhimit të tyre të palëkundur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve.
“Ata përfaqësonin zërin e ndërgjegjes dhe idealet e një brezi të tërë që luftonte kundër shtypjes dhe okupimit, duke bashkuar kulturën, politikën dhe organizimin në shërbim të kauzës kombëtare”, ka theksuar ai.
Sipas Bashës, rënia e tyre nuk i shuajti idealet për të cilat luftuan.
“Rënia e tyre nuk i shuajti idealet, por i bëri ato burim frymëzimi për mijëra aktivistë dhe veprimtarë, përfshirë djemtë e vajzat më të mirë të kombit, të cilët iu bashkuan me guxim luftës për liri”, ka shkruar ai.
Basha ka nënvizuar se trashëgimia e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës do të mbetet gjithmonë udhërrëfyese.
“Në këtë ditë përkujtimi, theksojmë se vepra dhe shembulli i Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për brezat që vijnë”, ka shtuar ai.