Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, ka deklaruar se çdo person që ka tjetërsuar me qëllim vullnetin e votuesve gjatë procesit të numërimit do të mbajë përgjegjësi ligjore.
Përmes një postimi, Krasniqi ka theksuar se KQZ posedon të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të identifikuar si shkeljet ashtu edhe personat përgjegjës për to.
“Kushdo që qëllimshëm ka tjetërsuar vullnetin e votuesve në Qendrat Komunale të Numërimit do të përballet me drejtësinë”, ka shkruar ai.
Ai ka nënvizuar se procesi i rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po zhvillohet me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, duke lavdëruar angazhimin e stafit të KQZ-së.
“Respekt për angazhimin e pashoq të stafit të Sekretariatit të KQZ-së dhe të mbi 150 numëruesve që, çdo ditë nga ora 8:00 deri në 24:00, po punojnë pandalur në procesin e rinumërimit të kutive në QNR”, ka theksuar Krasniqi.
Në fund, ai ka shprehur mirënjohje edhe për vëzhguesit e subjekteve politike, duke vlerësuar rolin e tyre në garantimin e transparencës së procesit zgjedhor.
“Falënderim për punën dhe kujdesin e treguar në QNR nga vëzhguesit e subjekteve politike”, ka shtuat Krasniqi.