Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) thotë se sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore, duke thënë se mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushtetve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova
“KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik se sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore. Temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit. Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment. KESCO është vazhdimisht e angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive të disponueshme për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra. Megjithatë, në situata kur nevoja për import është shumë e lartë, mbulimi i plotë i kërkesës paraqet vështirësi të mëdha”, thuhet në shkrimin e tyre në facebook.
KESCO u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin me kujdes energjinë.
“Në këtë kontekst, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin me kujdes energjisë elektrike dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Kursimi i energjisë elektrike është i domosdoshëm si nga aspekti operativ ashtu edhe nga ai teknik. KESCO mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet relevante, po punon për ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në shkrim.