Shahini: Shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri janë të mira, bashkëpunimi politik mbetet i zbehtë

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 07:59 | Nga Drita Dërmaku

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po zhvillohen mirë, me rritje të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, por bashkëpunimi politik e diplomatik mes dy shteteve mbetet i zbehtë. Kështu ka vlerësuar kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve(AKB), Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online.

Shahini ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë ndër shkëmbimet më të ulëta të deficitit tregtar në raport me shtetet e tjera, ndërsa Shqipëria mbetet destinacioni i parë i investimeve të bizneseve kosovare.

“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete që më së paku kanë, në krahasim me shtete të tjera, deficit tregtar me njëri-tjetrin. Dhe fokusi më i madh i të gjithë vëmendjes investuese të kosovarëve është Shqipëria si vend i parë. Pavarësisht se protestat e fundit kanë zbehur interesimin dhe kanë ndalur ritmin e investimeve në Shqipëri, jo vetëm nga kosovarët, por edhe nga të tjerët. Megjithatë, Kosova në këtë vit, shkëmbimet tregtare në krahasim me vitin e kaluar, për 10 muaj ka më shumë se 10% më shumë sesa vitin e kaluar shkëmbime tregtare mes dy shteteve”, ka deklaruar Shahini.

Sipas tij, në vitin 2025 shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri kanë qenë rreth 402 milionë euro, ndërsa vetëm për 10 muaj të këtij viti kanë arritur në 410 milionë euro, me pritjet që shifra deri në fund të këtij viti të shkojë deri në 500 milionë euro.

Shahini ka paraqitur edhe të dhënat për eksportet dhe importet, duke thënë se gjatë vitit të kaluar eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë ishin rreth 143 milionë euro, ndërsa importet rreth 260 milionë euro.

“Kur ndalemi dhe i shikojmë importet dhe eksportet, në vitin 2025 eksportet e Kosovës kanë qenë rreth 143 milionë euro drejt Shqipërisë, kurse importet rreth 260 milionë. Kurse vetëm për 10 muajt e këtij viti, 2026, eksportet e Kosovës janë rreth 180 milionë, kurse importet nga Shqipëria janë 225 milionë. Që kjo jep një performancë se shkëmbimet tregtare mes dy shteteve janë duke u zhvilluar mirë, por mbetet ende bashkëpunimi politik i zbehtë mes dy shteteve tona, dhe kjo është një problem politik dhe diplomatik, por jo një problem ekonomik që bizneset e të dyja anëve të mos të investojnë ose të mos shkëmbejnë përvoja të veta, kapitalin e vet”, ka thënë ai.

Kreu i AKB-së ka bërë të ditur se investimet kapitale të bizneseve kosovare në Shqipëri, deri në fund të vitit 2025, kanë arritur në rreth 700 milionë euro.

I pyetur nëse mosmarrëveshjet politike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po ndikojnë edhe në raportet ekonomike, Shahini ka thënë se bizneset dhe qytetarët nuk i kushtojnë shumë vëmendje përplasjeve politike, por orientohen nga interesat ekonomike dhe perspektiva e përbashkët.

“Normal, bizneset e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk janë duke shikuar, dhe qytetarët e të dyja anëve, nuk janë duke shikuar fort fërkimet ose mospajtimet politike mes liderëve. Për atë ne e vlerësojmë që qytetarët e të dyja anëve të kufijve nuk duhet të shikojnë fërkimet politike, por duhet të shikojnë të ardhmen kombëtare. Lidhjet shpirtërore, historike që kemi me njëri-tjetrin, ato po zhvillohen, ato nuk mund t’i ndalë askush. Dhe këto janë lidhjet më të forta”, ka deklaruar Shahini për Ekonomia Online.

Ai ka theksuar se në Kosovë veprojnë shumë kompani nga Shqipëria, të cilat investojnë, prodhojnë dhe tregtojnë, ndërsa edhe bizneset kosovare vazhdojnë të investojnë në Shqipëri.

Në prag të festave të fundvitit, Shahini ka bërë thirrje për konsumimin e produkteve vendore në të dyja vendet, duke theksuar se fushata e AKB-së synon mbështetjen e prodhimeve shqiptare në të gjitha trojet.

“Prandaj, në prag të këtyre festave të fundvitit ne i ftojmë të gjithë konsumatorët në anë e kënd, kudo që janë, Kosovë dhe Shqipëri, të konsumojnë më shumë prodhim vendi, sepse në këtë formë dhe në këtë fushatë që Aleanca Kosovare e Biznesit e ka dhe e ka filluar tashmë, nuk ka qëllim vetëm prodhim vendi të Kosovës, por anë e mban trojeve shqiptare. Dhe nëse kjo do të mbështetet nga të gjithë konsumatorët, shkëmbimet tregtare mes dy shteteve tona, në këtë vit që mund të jenë rreth 500 milionë euro, do të dëshironim që në vitin 2027 të arrijmë në 1 miliard euro dhe kështu të thyhet rekordi historik”, ka thënë Shahini.

Ai ka vlerësuar se për arritjen e këtij synimi nevojitet intensifikimi i bashkëpunimit politik, diplomatik dhe ekonomik, duke kritikuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy shteteve.

“Kosova dhe Shqipëria i kanë mbi 200 marrëveshje të nënshkruara në mënyrë protokollare mes shteteve tona, por në implementim nuk e di që i kanë më shumë se 30%”, ka përfunduar Shahini.

Të ngjashme