Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pengimit të vendosjes së muralit kushtuar Nënë Terezës në kryeqytet, ndonëse, sipas tij, Komuna e Prishtinës kishte dhënë lejen për realizimin e këtij projekti.
Përmes një postimi, Rama ka ngritur dyshime për ndërhyrje të mundshme politike në veprimet e Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se, sipas ekipit që po punonte në vendosjen e muralit, polici në vendngjarje kishte deklaruar se urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.
Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të japë sqarime publike lidhur me këtë rast, të identifikojë personin që ka dhënë urdhrin dhe të bëjë publik vendimin mbi të cilin është bazuar ndërhyrja.
“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar Rama.
Kreu i kryeqytetit ka kërkuar përgjegjësi nga Policia e Kosovës, duke ngritur disa pyetje lidhur me bazën ligjore të ndërhyrjes, autorin e urdhrit dhe mundësinë e presionit politik mbi institucionet e sigurisë.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, janë pyetjet që Rama ka drejtuar publikisht.
Deri në momentin e publikimit të këtij reagimi, në postimin e Ramës nuk është paraqitur ndonjë përgjigje zyrtare e Policisë së Kosovës lidhur me arsyet e pengimit të vendosjes së muralit.