Prezantuesja e njohur televizive nga Azerbajxhani, Ada Suleyman, ka ndërruar jetë në një aksident tragjik, vetëm pak orë pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të 31-të.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të 23 nëntorit në kryeqytetin Baku. Në të njëjtin aksident humbi jetën edhe shoku i saj, Anar Karimov, i cili ishte duke drejtuar makinën.
Sipas agjencisë së lajmeve Report.az, në përplasje u përfshinë një automjet dhe një kamion. Menjëherë pas njoftimit, ekipet e emergjencës shkuan në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se dy personat kishin ngecur brenda makinës, e cila ishte deformuar rëndë nga goditja.
Me ndihmën e mjeteve speciale, ekipet e shpëtimit nxorën trupat e pajetë të shoferit Anar Karimov dhe pasagieres Ada Suleymanova.
Ada Suleyman ishte një figurë e njohur në mediat e Azerbajxhanit, e cila kishte punuar më parë në televizionin ARB TV. Ajo fitoi popullaritet të gjerë përmes emisionit “Sən olsaydın”, të cilin e prezantoi për një kohë të gjatë.
Pasi u largua nga televizioni, 31-vjeçarja po planifikonte të niste një projekt të ri në YouTube, në formatin e podkastit, ku kishte ndërmend të ftonte figura të njohura. Ajo ishte gjithashtu shumë aktive në rrjetet sociale, me më shumë se 40 mijë ndjekës në Instagram.
Humbja e saj erdhi në një moment veçanërisht të dhimbshëm, pasi vetëm disa orë para aksidentit ajo kishte festuar ditëlindjen në një restorant në Baku. Ajo po kthehej në shtëpi kur ndodhi përplasja fatale.
Për rastin janë urdhëruar ekspertiza të specializuara, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.