Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, në pikën e pyetjeve parlamentare, është diskutuar për ndërtimin dhe funksionalizimin e fabrikës së municionit në Gjakovë, projekt ky për të cilin Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me kompaninë shtetërore turke MKE, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti sqarime për financimin e projektit, detyrimet financiare që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë turke, si dhe afatet për përfundimin dhe funksionalizimin e fabrikës.
Deputetja e PDK-së ka kërkuar që kryeministri të tregojë konkretisht se në cilin program dhe nënprogram buxhetor është paraparë financimi i fabrikës, sa është vlera e përgjithshme e marrëveshjes me MKE-në dhe sa mjete janë paguar deri më tani.
“Pyetja ime është: në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor, me cilin kod dhe me çfarë shume konkrete është paraparë financimi i fabrikës së municionit në Gjakovë për vitin 2027? Sa është vlera e përgjithshme e detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me MKE? Sa mjete janë paguar deri më tani dhe sa detyrime mbesin për vitin 2027 dhe vitet pasuese?”, pyeti ajo.
Kabashi-Ramaj kërkoi gjithashtu sqarime për afatin e përfundimit të projektit, duke rikujtuar zotimin publik të kryeministrit për fillimin e prodhimit deri në fund të vitit 2026.
“Duke pasur parasysh zotimin tuaj publik për fillimin e prodhimit deri në fund të vitit 2026, kërkoj gjithashtu të sqarohet cili është afati aktual për funksionalizimin e fabrikës dhe cilat faza të projektit janë përmbushur deri më tani. Ju faleminderit”, përfundoi deputetja e PDK-së.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti e cilësoi zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe krijimin e kapaciteteve vendore prodhuese si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Kosovës.
Kurti tha se lufta në Ukrainë ka dëshmuar rëndësinë e prodhimit vendor të municionit, pasi mungesat në tregun ndërkombëtar mund ta vështirësojnë furnizimin edhe kur shtetet kanë mjete të mjaftueshme financiare.
“Ndër prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës për fushën e mbrojtjes është zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe krijimi i kapaciteteve vendore prodhuese. Lufta e fundit pas agresionit rus në Ukrainë ka treguar që mund ta kesh paranë e botës, por kur të duhet më së shumti municioni, nuk e blen dot, sepse s’ka kush ta shesë. Prandaj edhe ne në këtë mandat do të përqendrohemi për zhvillimin e kësaj industrie”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Në këtë kuadër, kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Prodhimi vendor do ta forcojë vetëqëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë në kushtet e mungesave në nivel global të shkaktuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar. Ky kapacitet do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do ta ulë varësinë tonë nga prodhuesit e huaj”, tha kryeministri.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për marrëveshjen me kompaninë shtetërore turke MKE dhe detyrimet financiare, Kurti bëri të ditur se kontrata është e klasifikuar dhe se pagesa e saj është realizuar plotësisht.
Ai theksoi se nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj kompanisë turke, ndërsa sqaroi se për shkak të klasifikimit nuk mund të publikohen detajet e marrëveshjes.
“Ju e dini që ne kemi vlera shumë të rëndësishme që lidhen me projekte mbrojtëse, të cilat mund të ndryshojnë nga viti në vit. Për këtë projekt është lidhur kontratë e klasifikuar me kompaninë shtetërore turke MKE. Pagesa e kontratës është realizuar plotësisht dhe nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj MKE-së”, deklaroi Kurti.
Kryeministri kërkoi mirëkuptim për pamundësinë e publikimit të vlerës së përgjithshme të kontratës dhe hollësive të tjera që lidhen me projektin, duke përmendur specifikimet teknike, makineritë dhe pagesat.
“Për shkak të klasifikimit, vlera e përgjithshme e kontratës, shuma e pagesës, specifika, specifikimet teknike, makineritë dhe hollësitë e tjera financiare e teknike nuk mund të bëhen publike në këtë përgjigje dhe unë ju kërkoj ndjesë për këtë”, tha ai.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se për zhvillimin e projektit janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani të vendeve anëtare të NATO-s.
“Vlen të theksohet që për zhvillimin e kësaj kontrate janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani, vende anëtare të NATO-s”, u shpreh kryeministri.
Sa i përket ndarjes buxhetore të përmendur nga deputetja Kabashi-Ramaj, Kurti sqaroi se projekti me emërtimin “Blerja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes” ka të bëjë me rrethojën e sigurisë së zonës së përgjithshme industriale prej 120 hektarësh dhe jo drejtpërdrejt me ndërtimin e fabrikës së municionit.
“Sa u përket ndarjeve buxhetore që i përmendët ju në pyetje, projekti dhe ndarja prej 1 milion eurosh për rrethojën e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes, i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 120 hektarë tokë. Kjo është ndarja e veçantë nga ndërtimi dhe funksionalizimi i kompleksit të prodhimit të municioneve”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se kompleksi shtetëror do të ketë mbështetje të plotë dhe do të ndërtohet në bashkëpunim me kompaninë turke MKE, në kuadër të realizimit të projektit.
“Kompleksi shtetëror do të ketë mbështetje të plotë, i cili do të ndërtohet bashkë me MKE në kuadër të realizimit të projektit”, tha kryeministri.