Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se fshati Negroc ka pasur rol të rëndësishëm gjatë organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si strehë të luftëtarëve të UÇK-së. Gjatë ceremonisë së përurimit të obeliskut në nderim të Jakup Krasniqit dhe tri shkronjave të UÇK-së, Gucati ka kujtuar se në natën e 30 dhjetorit 1990, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe të tjerë kishin bujtur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se ky fshat ka nxjerrë shumë burra dhe trima, duke përmendur Jakup Krasniqin dhe Sherif Krasniqin.
“Ky, sot që u ngrit kjo është ë mu në mesin e fshatit të Baci Jakup. Ku në ditët më të vështira të kohës së vitit 1990, natën e 30 dhjetorit, Adem Jashari, Hamëz Jashari edhe të gjithë të tjerët, kanë bujtur në shtëpinë e Baci Jakup. Do të thotë ky fshat është strehë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky fshat ka lindur shumë trima, burra siç është Baci Jakup, Sherif Krasniqi dhe shumë të tjerëve që mos t’u mbes borxh me i përmendur emër për emër. Kjo është e qëlluar me u ndërtuar dhe me u bërë zbulimi”, tha ai.
Gucati është ndalur edhe te vizita e Jakup Krasniqit në shtëpi, duke treguar emocionet e tij gjatë takimit të ish-kryetarit të Kuvendit me nipin dhe mbesën, të cilët nuk i kishte njohur më parë.
Ai ka thënë se takimi ishte veçanërisht emocional, pasi Krasniqi, pas një kohe të gjatë, kishte pasur mundësinë ta shihte për herë të parë mbesën e tij, e cila kishte ardhur nga Danimarka.
“Sa i përket vizitës së Baci Jakup, unë jam deklaruar dhe më herët, kam thënë më herët ë me thënë emocionet e mia kur unë i pat, para katër viteve pat vdekur babai dhe isha vetë në atë gjendje, e kisha bërë veç pak kur kam pa, e çfarë do të thotë kur ta pash nipin apo mbesën që nuk e njeh. Unë s’i kam njohur as nipin as mbesën s’i kam fëmijë, e kam dëgjuar që djali ka pasë një vajzë, po ashtu edhe vajza ka pasë një djalë. E vajza ime dhe unë s’i kam parë asnjërin derisa ka ardhur në shtëpi. Ato janë emocione të vështira për një njeri që ka vuajtur si Baci Jakup, por ka ardhur dhe ka parë vajzën e vajzës së vet, mbesën e vet, që ka ardhur nga Danimarka kur e ka parë, se ai se ka parë atë vajzë për herë të parë na ka ndodhur, është shumë e vështirë”, tha Gucati.
Kryetari i OVL-UÇK-së ka përmendur edhe gjendjen e rëndë shëndetësore të bashkëshortes së Jakup Krasniqit, Sevdijes, duke i uruar asaj shërim dhe shëndet sa më të shpejtë.
Në fund, Gucati ka kritikuar institucionet e vendit për sigurinë gjatë vizitës së Krasniqit, duke thënë se pamjet e krijuara ishin të rënda për familjen dhe qytetarët.
“Po tani e dyta gjë më e vështirë kur e di që nuk po vjen për qejf, po je i tërhequr për një punë shumë të rëndë Baci Jakup e ka bashkëshorten në gjendje të keqe me një sëmundje të rëndë që vuan, po ne i urojmë shëndet edhe bashkëshortes së tij Sevdijes shërim dhe shëndet sa më të shpejtë. Ato kanë qenë skena shumë të trishtueshme për neve, se të gjitha ato forca me terrorizuar një lagje, ka mbetur veç Velaninë, po edhe vetë Kosovën, shtetin e Kosovës, ky është tmerri më i madh për ne si qytetarë dhe më së pari për qeverinë, institucionet e vendit, ku Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme është dasht ta bëjnë sigurinë”, ka deklaruar Gucati.
