Ministrat theksojnë rëndësinë e prodhimit vendor në hapjen e Javës së Biznesit Kosovar 2026

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 12:43 | Nga Drita Dërmaku

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur Javën e Biznesit Kosovar 2026, me moton “UNË KONSUMOJ PRODUKTE VENDORE, PO JU?”, duke bërë thirrje për mbështetjen e prodhimit vendor, fuqizimin e bizneseve kosovare, rritjen e eksporteve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, raporton Ekonomia Online.

Në hapjen e këtij edicioni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, ministra dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi, vlerësoi punën e Aleancës Kosovare të Biznesit dhe theksoi se krijimi i kushteve më të mira për bizneset, nxitja e investimeve dhe mbështetja e prodhimit vendor duhet të jenë përgjegjësi e përbashkët institucionale.

“Ju e dini se prej vitesh e keni mbështetjen time, pavarësisht nëse kam qenë pjesë e Kuvendit apo e Qeverisë. E vlerësoj thellësisht punën tuaj dhe menaxhimin e Aleancës Kosovare të Biznesit, e cila tashmë numëron disa mijëra anëtarë. Konsideroj se është obligim shtetëror dhe përgjegjësi institucionale e të gjithë neve që të krijojmë një ambient sa më të favorshëm për biznesin, të nxisim investimet, të rrisim eksportin dhe të hapim vende të reja pune për qytetarët tanë. Ky është njëkohësisht edhe prioritet i të gjithë shtetit tonë. Është veçanërisht e rëndësishme që të vazhdojmë të miratojmë ligje në Kuvendin tonë, të cilat do të zvogëlojnë barrierat burokratike dhe do t’jua lehtësojnë prodhimin vendor dhe eksportin. Me blerjen e produkteve vendore e fuqizojmë ekonominë tonë dhe investojmë në të ardhmen e shtetit tonë. Vetëm në këtë mënyrë mund ta shohim Kosovën si një vend që prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe punëson më shumë qytetarë. Pikërisht ky është edhe qëllimi ynë i përbashkët”, deklaroi Rexhepi.

Kurse, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se AKB-ja për 24 vjet me radhë ka kontribuar në promovimin e prodhimit vendor, ndërsa nënvizoi se përkrahja e bizneseve prodhuese duhet të shoqërohet me mekanizma konkretë financiarë, investime dhe zhvillim të infrastrukturës industriale.

“Për 24 vite me radhë Aleanca Kosovare e Biznesit ka mbajtur gjallë këtë traditë të rëndësishme duke promovuar prodhimin vendor dhe duke mbështetur bizneset e ekonomisë së Kosovës. Motoja e këtij edicioni ‘Unë konsumoj produkte vendore’ tregon për rëndësinë e vazhdimësisë së rikujtimit dhe vënies së mbështetjes tek prodhimi vendor. Kjo është një thirrje që secili nga ne të mendojë se si duhet dhe mundemi ta mbështesim prodhimin vendor. Kur zgjedhim një produkt të prodhuar në Kosovë, ne i ndihmojmë bizneset vendore të kenë më shumë shitje, të rrisin prodhimin, të punësojnë njerëz të rinj dhe të investojnë në zhvillimin e tyre. Ndikimi nuk ndalet te prodhuesi, por shtrihet te punëtorët, familjet, furnitorët dhe shumë biznese të tjera që lidhen me të. Sektori privat është partneri kryesor i shtetit për zhvillimin ekonomik. Mban numrin më të madh të punësuarve në vend dhe mbush arkën e shtetit. Prodhimi vendor siguron qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe krijon mekanizmin e rritjes dhe forcimit të ekonomisë së shtetit”, tha Kusari-Lila.

Ajo foli edhe për mekanizmat që institucionet janë duke zhvilluar për mbështetjen e prodhuesve, përfshirë grantet për certifikimin e produkteve, mbështetjen financiare përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe krijimin e parqeve industriale.

“Për të mbështetur prodhimin vendor, po punojmë për rritjen e mbështetjes së bizneseve prodhuese me mekanizma që rrisin kualitetin, si skema e granteve për certifikimin e produkteve, krijimin e mekanizmave të rinj financiarë për skemën e granteve të kombinuar me mbështetje përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Qëllimi ynë është që të mobilizojmë më shumë financim për rritjen dhe zhvillimin e bizneseve ekzistuese dhe inkurajimin e nxitjen e bizneseve të reja. Vëmendje të veçantë po i kushtojmë zhvillimit të infrastrukturës industriale përmes krijimit të ekoparqeve industriale, ku prodhuesit vendorë bashkë me të tjerët do të kenë kushte më të mira për zgjerimin e bizneseve dhe rritjen e prodhimit me standarde më të larta të zhvillimit të industrisë dhe mbrojtjes së mjedisit. Synojmë që këto parqe të zhvillohen si zona moderne ekoindustriale, ku ndërmarrjet bashkëpunojnë, zbatojnë parimet e ekonomisë qarkore dhe simbiozës industriale, si dhe krijojnë lidhje me investitorët ndërkombëtarë për t’u bërë pjesë e zinxhirëve të tyre të furnizimit dhe për të hapur mundësi të reja të eksportit”, theksoi ministrja.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, vuri në pah potencialin e madh që ka Kosova në prodhimin bujqësor dhe ushqimor, duke theksuar nevojën për tejkalimin e barrierave të eksportit dhe zëvendësimin e produkteve që aktualisht importohen.

“Përderisa ne analizojmë vështirësitë, duhet të rikujtojmë mundësitë që i kemi. Vendi ynë dhe diaspora jonë janë kontribuues të mëdhenj në zhvillimin tonë, por edhe një nga potencialet më të mëdha të konsumit dhe të eksportit për Kosovën dhe për prodhuesit tanë. E vërteta është që rrugës, tregjet tona dhe bizneset tona, prodhuesit tanë, kanë pasur shumë vështirësi për të kaluar, sidomos ata që përqendrohen te ushqimet shtazore, për t’u qasur në tregjet perëndimore. Lejoni para jush të shfaq aspiratën që nga viti i ardhshëm të punojmë bashkërisht për t’i tejkaluar këto barriera rajonale dhe ato të Evropës. Shërbimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është që t’i plotësojë çdo kriter të mundshëm ligjor dhe kapacitetet tona, që t’i heqim këto barriera për eksport. Aty është mundësia e dyfishimit të sektorit të ushqimit të Kosovës”, deklaroi Muja.

Ai bëri të ditur se bujqësia në Kosovë ka shënuar rritje prej 60 për qind gjatë katër viteve të fundit, ndërsa theksoi se potencial i veçantë për zhvillim mbetet prodhimi i mishit dhe zgjerimi i prodhimit vendor të pemëve dhe perimeve.

“Bujqësia jonë në katër vitet e fundit ka pasur një rritje prej 60%, por e rëndësishme tek rritja është të shohim edhe kah po rritet. Ajo çka është me rëndësi të potencohet është që Kosova është duke u shfaqur si kampion te prodhimet me të ardhura. Aty është konkurrueshmëria jonë, është bukur më e vështirë, por aty ekziston potenciali i madh i Kosovës. Të nderuar, ne jemi prodhues, por Kosova importon mish dhe ne duhet ta zëvendësojmë atë, sepse ekziston një mundësi për të prodhuar mish. Mishi i viçit, mishi i pulës, dy nga produktet më të rëndësishme bujqësore në shportën e bazave vjetore. Ky potencial ekziston këtu në Kosovë dhe kushtet për të qenë konkurrues i kemi, por na duhet të punojmë bashkërisht”, tha ministri.

Muja shtoi se vetëm për pemë dhe perime Kosova importon çdo vit produkte në vlerë prej 100 deri në 150 milionë euro, duke theksuar se rritja e prodhimit gjatë gjithë vitit, investimet në sera dhe krijimi i kapaciteteve të magazinimit janë ndër prioritetet e ministrisë.

“Tek pemët dhe perimet, ne importojmë në baza vjetore 100-150 milionë euro pemë dhe perime. Si Ministri e Bujqësisë, nuk mund ta përballojmë një situatë të tillë, sepse është një nga mundësitë më të mira për t’u zëvendësuar si import. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë i qaset këtij prioriteti në dy drejtime. E para, nevoja për të rritur prodhimin dhe ciklin e prodhimit gjatë gjithë vitit. Jo vetëm verës, por duhet të zgjasim këtë cikël prodhimi edhe përtej muajve të nxehtë, të pranverës dhe të verës. Prodhimi në sera është një nga potencialet tona më të mëdha dhe aty do të përqendrohet Ministria e Bujqësisë. Edhe pas prodhimit, kostoja e produkteve bujqësore jashtë sezonës trefishohet, në raste gjashtëfishohet. Ne duhet të krijojmë një qëndrueshmëri të çmimeve. Për këtë arsye na duhen kapacitetet e magazinimit dhe zinxhiri i ftohjes. Kemi nevojë për qendra dhe kapacitete për të ruajtur vlerën e prodhimeve bujqësore, në mënyrë që edhe prodhuesi, por edhe bujku i Kosovës të ketë një vlerë të shtuar në ekonomi”, u shpreh Muja.

E, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, foli për rëndësinë e përmbushjes së standardeve mjedisore dhe përgatitjes së bizneseve kosovare për kërkesat e reja të tregut evropian, duke theksuar se gjurma mjedisore e produkteve po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për eksportuesit.

“Është shumë e vërtetë edhe në aspektin jo vetëm të cilësisë, por edhe në aspektin e gjurmës mjedisore që e lë çdo produkt që prodhohet në Kosovë. Pra, përveç asaj që Evropa tani po kontrollon cilësinë dhe sasinë e secilit produkt, po e gjurmon edhe gjurmën mjedisore të produkteve. Për bizneset tona, kjo nuk është një temë që duhet të themi se do ta diskutojmë në të ardhmen, por është temë që duhet të diskutohet tani dhe të punohet tani, që t’i përgatisim bizneset tona e të mos kenë probleme në kufijtë e Bashkimit Evropian. Prandaj, ne si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po ndërtojmë dhe zhvillojmë ligjet tona, pra platformën tonë ligjore dhe institucionale, që prodhuesit e Kosovës të mos mbeten prapa, por të fitojnë terren në tregjet evropiane. Ne po e udhëheqim tranzicionin e gjelbër me një parim të qartë, ku asnjë reformë mjedisore nuk do të bëhet kundër bizneseve, por bashkë me bizneset”, deklaroi Pacolli-Dalipi.

Ajo theksoi se një prej çështjeve kryesore është përgatitja e kompanive eksportuese për zbatimin e mekanizmave evropianë të taksimit të karbonit, si dhe krijimi i sistemit të matjes, raportimit dhe verifikimit të emetimeve.

“Këtë vit kemi marrë hapa konkretë që prekin drejtpërdrejt punën e bizneseve të Kosovës. Së pari, ne po mbrojmë eksportuesit tanë, pra ata që eksportojnë në Bashkimin Evropian, ku tani me zbatimin e taksës së karbonit kompanitë tona kanë nevojë për të dhëna të verifikuara, që të mos penalizohen në kufij me tarifa të larta automatike kur të hyjnë në shtetet e Bashkimit Evropian. Përveç paralajmërimit dhe informimit për masat, është mirë të fillojmë edhe të punojmë për ndryshimet e nevojshme që duhet t’i bëjnë bizneset. Ne kemi pasur një takim me Odën

Ekonomike të Kosovës dhe kemi diskutuar se si bashkërisht do të punojmë për t’i përgatitur bizneset sa i përket taksës së karbonit. Në kuadër të agjendës së reformave me Komisionin Evropian, po përmbyllim pakon ligjore për sistemin e matjes dhe verifikimit të emetimeve, përmes ndryshimeve në Ligjin për Ndryshimet Klimatike dhe tri udhëzimeve administrative, në mënyrë që prodhuesit tanë të kenë certifikim të besueshëm dhe të konkurrojnë në kushte të barabarta në BE”, tha ajo.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, theksoi rëndësinë e ndërlidhjes së bizneseve dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme, duke vlerësuar se zhvillimi ekonomik duhet të shërbejë si urë bashkëpunimi në të gjitha pjesët e Kosovës.

“Kam pasur një diskutim të gjatë me AKB-në lidhur me të gjitha këto që dëgjova, veçanërisht edhe për disa çështje të ditëve të fundit dhe përvojat e mëparshme. Ne kemi qenë ndër të parët që kemi sjellë risi në aspektin e ndërlidhjes së bizneseve. Kemi organizuar takime dhe ngjarje biznesore, madje edhe në Rahovec dhe në Graçanicë. Këto iniciativa janë vlerësuar si inovative dhe mendoj se kanë dëshmuar një rrugë të mirë përpara. Siç i pëlqen të thotë edhe vetë zoti Shahini: ‘Kur politikanët shtrëngojnë duart, biznesmenët përqafohen’. Këtë metaforë e kam kuptuar si një marrëdhënie bashkëpunimi, ku njerëzit nga komunitete dhe përkatësi të ndryshme angazhohen së bashku, në kuadër të një bashkëpunimi konkret, në interes të bizneseve dhe qytetarëve”, deklaroi Rashiq.

Ai foli edhe për potencialin ekonomik të veriut të Kosovës, duke paralajmëruar organizimin e një sesioni informues në Mitrovicën e Veriut për bizneset, me qëllim të njohjes së tyre me rregullat ligjore dhe mundësitë e mbështetjes institucionale.

“Kur e them këtë, natyrisht se para së gjithash mendoj për veriun e Kosovës, ku ekziston një potencial i madh, si në prodhimin vendor dhe bujqësi, ashtu edhe në sektorë të tjerë. Po ashtu, ky rajon ofron mundësi për zgjerimin e veprimtarive të ndryshme, zhvillimin e tregtisë, afarizmit, shërbimeve dhe të gjitha aktiviteteve që lidhen me to. Mendoj se ekziston një hapësirë e konsiderueshme që mund të shfrytëzohet në mënyrë të dobishme dhe që ne duhet ta shfrytëzojmë. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se tashmë kemi paralajmëruar për javën e ardhshme një sesion informues, i cili do të mbahet në Mitrovicën e Veriut. Para së gjithash, bizneset tona duhet të njihen me rregullat sipas të cilave duhet të veprojnë dhe me kornizën ligjore në fuqi. Pjesa e dytë e sesionit do t’u kushtohet mundësive që ofron Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ministritë e tjera, të cilat do të jenë në dispozicion për të mbështetur veprimtari të ndryshme të kësaj natyre. Prandaj, konsideroj se mbetemi të përkushtuar dhe se mbështetja ime për mënyrën e vetme racionale të zhvillimit të shoqërisë përmes biznesit mbetet e palëkundur. Unë do të jem këtu për të ndihmuar, si në aspektin e asaj që përmenda lidhur me veriun, ashtu edhe në aspektin e krijimit të lidhjeve dhe bashkëpunimeve të tjera në pjesë të ndryshme të vendit”, u shpreh Rashiq.

Në fund, ministri Rashiq ritheksoi besimin e tij në potencialin prodhues të Kosovës dhe në rëndësinë e trajtimit të barabartë të të gjithë prodhuesve dhe blerësve potencialë.

“Unë vazhdoj të besoj, madje jam i bindur, se Kosova mund të prodhojë ushqim cilësor dhe të shëndetshëm, i cili mund të shitet jo vetëm në tregun vendor, por edhe në tregjet e huaja. Prandaj, në cilësinë e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, dëshiroj të ritheksoj se do të angazhohemi për të siguruar trajtim të barabartë dhe mbështetje konkrete, deri në nivelin e secilit prodhues dhe të secilit blerës potencial, përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm”, përfundoi Rashiq.

Përmes Javës së Biznesit Kosovar 2026, AKB synon të rrisë vetëdijen e konsumatorëve për rëndësinë e zgjedhjes së produkteve vendore, duke theksuar se çdo blerje e një produkti të prodhuar në Kosovë përkthehet në mbështetje për prodhuesit, punëtorët, familjet dhe ekonominë e vendit.

Të ngjashme