Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se fuqizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është garanci për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e vendit, duke theksuar se Kosova nuk ka synime ndaj asnjë shteti fqinj, raporton Ekonomia Online.
Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Gërvalla ka thënë se forcimi i ushtrisë është mesazhi më i fuqishëm për realizimin e amanetit të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.
“Ne sot kemi ardhur që ta shohim nga afër realitetin e krijuar në vendin tonë, dhe nuk ka pasqyrë më të qartë dhe nuk ka mesazh më të fuqishëm për realizimin e amanetit të të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë sesa ky realitet i ri i krijuar. Sa më shumë që e forcojmë forcën e sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata të cilët na kërcënojnë me luftë dhe konflikt. Nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd, nuk kemi synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, ta forcojmë sigurinë e qytetarëve të Republikës sonë dhe vendin tonë”, tha Gërvalla.
Gërvalla ka përgëzuar komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe pjesëtarët e Forcës për angazhimin e tyre në rritjen e sigurisë në vend.
Ajo ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim i institucioneve të vendit.
“Prandaj, përgëzoj nga zemra komandantin Bashkim Jashari, ministrin e mbrojtjes e Ejup Maqedonci, dhe të gjithë ata të cilët çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë e investojnë për ta bërë qytetarin e Kosovës të ndihet më i sigurt dhe të flejë më qetë me gjithë konfliktet që kanë shpërthyer në të katërt anët e botës, edhe me gjithë kërcënimet e vazhdueshme që marrim nga fqinji ynë. Kosova, Republika e Kosovës, anëtare e NATO-s, është synimi të cilin nuk e fshehim dhe për të cilin e shohim që çdo ditë punohet këtu”, shtoi ajo.
