Përplasën Ymeri dhe Muja për dëmet bujqësore të vitit 2023

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 16:39 | Nga Drita Dërmaku

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë pikës së pyetjeve parlamentare, është zhvilluar debat ndërmjet deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, dhe ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, lidhur me mosrealizimin e pagesave për dëmet bujqësore të vitit 2023.

Ymeri ka kërkuar sqarime nga ministri se pse fermerët ende nuk i kanë marrë kompensimet për dëmet e shkaktuara, duke thënë se kjo është njëra prej pyetjeve më të shpeshta që merr nga fermerët.

“Pse nuk është bërë pagesa e dëmeve bujqësore që nga viti 2023? Do t’i kujtoj ministrit që kjo është pyetja më e shpeshtë që kam bërë prej fermerëve, edhe nuk është që jam njoftuar që sot jeni këtu dhe përgjigjeni. Tash, a guxoj me bërë pyetje? Kryetar, a t’ia bëj pyetjen tjetër tash, apo mas përgjigjes? Pra, edhe një herë: pse nuk është bërë pagesa e dëmeve bujqësore të vitit 2023?”, pyeti Ymeri.

Në përgjigjen e tij, ministri Armend Muja tha se Ministria e Bujqësisë ka realizuar pagesa për dëmet bujqësore në vitet paraprake, duke përmendur shumën prej rreth 2.6 milionë eurosh për vitin 2022 dhe rreth 800 mijë euro për vitin 2023.

Ai tha se një pjesë e paqartësive mund të lidhet me një skemë tjetër të ndihmës së menjëhershme pas vërshimeve, e cila, sipas tij, nuk është administruar nga Ministria e Bujqësisë.

“Ministria e Bujqësisë, referuar pyetjeve që i keni shtruar, i ka realizuar pagesat për vitin 2022 rreth 2.6 milionë euro, në vitin 2023 rreth 800,000 euro pagesa për bujqësi. Por, njëjtë sikurse për çdo lloj konfuzioni në një skemë tjetër që është administruar për shkak të vërshimeve, ka qenë një pagesë e menjëhershme, por nuk është administruar ajo skemë nga Ministria e Bujqësisë”, deklaroi Muja.

Ministri shtoi se për vlerësimin e dëmeve ekziston një procedurë institucionale, ku Ministria e Bujqësisë është pjesë e një grupi ndërqeveritar dhe pret raportin e miratuar nga Qeveria para se të mund të realizojë pagesat.

“Por, besoj që pyetje të tilla mund t’i shtrohen komisionit qeveritar, pyetje të tilla, se ta kemi parasysh që nga koha, nga viti 2023 edhe për pyetje që i kanë fermerët, Ministria e Bujqësisë është pjesë e një grupi qeveritar, ndërqeveritar për vlerësimin e dëmeve. Ministria e Bujqësisë e pret atë raport të miratuar nga Qeveria, por ta shohim pjesën tekstuale të ligjit për buxhet, nenit 13, pika D, që Ministria e Bujqësisë është e detyruar të presë miratimin e këtij raporti para se të bëjë pagesën”, tha Muja.

Ai pretendoi se mund të ketë një keqkuptim ndërmjet dëmeve natyrore në bujqësi dhe skemës së ndihmës së menjëhershme pas vërshimeve në Mitrovicë dhe Skenderaj.

“Por, unë po besoj që ka një keqkuptim. Ministria e Bujqësisë i ka kryer dëmet natyrore në vitin 2023, por me gjasë ka një keqkuptim me një skemë tjetër që është administruar si ndihmë e menjëhershme pas vërshimeve në Mitrovicë dhe Skenderaj”, u shpreh ministri.

Pas kësaj përgjigjeje, deputetja Ymeri kërkoi sqarime shtesë, duke thënë se edhe zyrtarët komunalë janë në pritje të pagesave dhe se fermerët po marrin informacione të ndryshme nga institucionet.

Ajo kërkoi që ministri të tregojë qartë se cili institucion është përgjegjës dhe ku duhet të drejtohen fermerët për të marrë përgjigje për vonesat.

“Atëherë, ministër, paska qenë e përzier me këto deklarata, burokraci. A ka mundësi me na shpjeguar kështu. Edhe zyrtarët komunalë, pra jo vetëm fermerët, e kanë nizam që pagesa e dëmeve prej vërshimeve, dëmeve bujqësore nuk është bërë. 2023-ta ka të bëjë, po fillimisht 2023-ta. Tash, a ka një përgjegjësi, departament tjetër, institucion tjetër, atëherë kryesorja është që s’ka skemë, mos me prit me Ministrinë e Bujqësisë”, deklaroi Ymeri.

Deputetja theksoi se ka shumë fermerë që janë në pritje të kompensimit që nga viti 2023 dhe kërkoi që të sqarohet nëse vonesat janë rezultat i mungesës së buxhetit apo i përgjegjësive të institucioneve të tjera.

“Ka shumë që janë duke pritur prej vitit 2023 tash. Tash, a ka mundësi me i informuar ku duhet me u drejtuar edhe pse nuk është bërë pagesa deri tash, kur edhe zyrtarët komunalë, drejtoritë komunale janë duke pritur? Tash, unë po them që fermerët nuk e kanë kuptuar kur drejtoritë komunale po i thonë që pritni prej ministrive, e prej Ministrisë së Bujqësisë. Nëse ka mundësi, minutat që i kemi me na treguar të gjithëve pse nuk është bërë pagesa: a është mungesë buxheti”, pyeti ajo.

Në përgjigjen e dytë, Muja shpjegoi procedurën ligjore për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, duke thënë se vlerësimi fillestar bëhet në nivel komunal, ndërsa raporti përcillet më pas në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe komisionin ndërqeveritar.

“Atëherë, edhe një herë: bazë ligjore për mbrojtje nga rreziqet natyrore. Vlerësimet e dëmeve ndodhin në nivelet komunale. Kryetari i komunës pas miratimit e dërgon te Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, e cila pastaj ia përcjell te komisioni ndërqeveritar. Pas verifikimeve dhe ajo tu u aprovuar nga Qeveria, kjo është procedura”, deklaroi Muja.

Ai përsëriti se Ministria e Bujqësisë nuk është institucioni që e administron tërë procesin e vlerësimit të dëmeve, por pret raportin dhe vendimet përkatëse për të realizuar pagesat.

“Pra, që nga viti 2023, Ministria e Bujqësisë është vetëm pjesëmarrëse, e pret raportin si të tillë dhe në bazë të provizioneve të ligjit për buxhet, në momentin kur ka konstatime dhe vendime, i bën, i shlyen këto detyrime që ka”, tha ministri.

Muja këmbënguli se pagesat për dëmet bujqësore të vlerësuara për periudhën 2021-2023 janë realizuar në bazë të raporteve, ndërsa dalloi këtë proces nga skema e veçantë e ndihmës pas vërshimeve në disa komuna.

“Sa i përket vitit 2023, edhe një herë po e theksoj: janar, 2021, 2022, 2023, të gjitha vlerësimet e dëmeve që janë bërë në bujqësi, mu ashtu në bazë të raportit janë paguar. Por, po ashtu në vitin 2023 ka pasur një skemë të menjëhershme për shkak që ka pasur vërshime në Skenderaj, Mitrovicë, sa me gjasë është prekur edhe Istogu, por ajo ka qenë skemë e ndarë, pra nuk ka qenë pjesë e administruar nga Ministria e Bujqësisë”, u shpreh ai.

Në fund, ministri u orientoi deputeten dhe të gjithë ata që kërkojnë informacione për këtë çështje që t’i drejtohen Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, duke thënë se ky institucion i ka të dhënat për skemën e ndihmës pas vërshimeve.

“Të gjitha pyetjet që lidhen me këtë çështje duhet t’ia drejtoni AME-së, se ata kanë informacione. Sa i përket vlerësimit tonë, nuk është e qartë. Ne nuk i kemi informacione se i ka marrë institucioni tjetër, ne kemi detyrim ligjor që i kryejm”, tha Muja.

Të ngjashme