Maqedonci: Gati 500 milionë euro investime në armatim dhe pajisje për FSK-në, kemi përmbyllur rekrutimin e planifikuar deri më 2028

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të kësaj qeverisjeje janë investuar gati 500 milionë euro në blerjen e sistemeve të armatimit, mjeteve transportuese dhe pajisjeve të nevojshme për operacionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Maqedonci ka thënë se investimet në zhvillimin e FSK-së janë përqendruar në tri fusha kryesore: armatim dhe pajisje, personel dhe infrastrukturë.

“Ditë që na bashkon, ditë që tregon për përkushtimin tonë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Republikës sonë. Dhe kjo, pasqyrohet përmes punës dhe angazhimit të secilit dhe secilës që shërben në forcën e sigurisë së Kosovës, dhe gjithashtu atyre që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes, në mbështetje të zhvillimit të forcës së sigurisë së Kosovës. Investimet tona gjatë kësaj qeverisjeje janë orientuar në 3 drejtime kryesore. Fillimisht, përkushtimi ynë dhe paraqitja ka qenë që të fokusohemi në blerje të sistemeve të armatimit, në mjetet transportuese, në pajisjet, në gjërat e tjera të nevojshme për ta operacionalizuar ushtrinë, dhe deri më tani janë bërë gati 500 milionë euro investime për blerje të sistemeve të armatimit, transportit dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për operacionalitetin e FSK-së. Fokusi i dytë në investime ka qenë personeli, ku kemi qenë të orientuar në edukimin e forcës së sigurisë së Kosovës, edukimin e personelit të forcës së sigurisë së Kosovës, në rekrutimin e personelit. Tashmë kemi numrin e nevojshëm që ka qenë i paraparë që të rekrutohet deri në vitin 2028, pra kemi përmbyllur këtë pjesë, dhe gjithashtu kemi zhvilluar programe trajnuese. Kurse fusha e tretë ka qenë infrastruktura dhe bazat e reja”, tha ai.

Maqedonci ka bërë të ditur se FSK-ja tashmë ka katër baza më shumë sesa ishin paraparë në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, si dhe dy poligone të mëdha për trajnime, të cilat shfrytëzohen edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Tashmë dihet që kemi 4 baza më shumë sesa ka qenë e planifikuar të kemi në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit. Kemi 2 poligone të mëdha trajnimi, të cilat po shfrytëzohen edhe nga forcat tona, por edhe nga partnerët tanë, për të realizuar ushtrime duke përfshirë edhe ato ushtrimet ndërkombëtare që kemi parë që kanë qenë seria e ushtrimeve Defender Europe. Shumë prej fushave i kemi tejkaluar qysh tani, nuk do ta presim vitin 2028 për t’i deklaruar të validuara shumë kapacitetet që i kemi kryer tani. Ne jemi në përfundim të fazës së tranzicionit dhe normalisht jemi edhe në përfundim të operacionalitetit të plotë të FSK-së, kështu që në periudhën në vazhdim objektivat tona do të fokusohen edhe në fusha të tjera, siç është industria e mbrojtjes, ku jemi duke bërë punë të vazhdueshme dhe me përkushtim të lartë, dhe gjithashtu mbrojtja gjithëpërfshirëse një koncept i ri, një sistem i ri mbrojtjes, ku e vendos qytetarin në pikë qendrore në aspektin e angazhimit për mbrojtje dhe siguri”, tha ai.

Të ngjashme