Rama: Nju Jorku bën histori, 28 nëntori festë zyrtare

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se Nju Jorku do ta njeh festën e 28 nëntorit si festë zyrtare.

Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rjretin social Facebook, ka shkruar se rezoluta për këtë është miratuar më 19 nëntor.

“Nga Prishtina, e përshëndes këtë vendim dhe u shpreh mirënjohjen time shqiptarëve të Nju-Jorkut. Me punën dhe përkushtimin tuaj, keni fituar respektin e qytetit dhe i keni dhënë brezit të ri një arsye më shumë për t’u krenuar me rrënjët e veta”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

NJU-JORKU BËN HISTORI: 28 NËNTORI FESTË ZYRTARE! 🇦🇱🇺🇸

Jam shumë i lumtur që më 19 nëntor të këtij viti, Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut miratoi rezolutën që njeh 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, për ta shënuar çdo vit.

Për breza të tërë, familjet shqiptare në Nju-Jork e kanë festuar këtë ditë në shtëpitë e tyre, në lagjet e tyre dhe me fëmijët e tyre. Ua kanë mësuar shqipen fëmijëve, ua kanë treguar historinë e flamurit dhe e kanë mbajtur të gjallë lidhjen me vendlindjen. Sot, dita që këto familje e kanë ruajtur brez pas brezi merr njohjen e qytetit që e bënë shtëpi.

Nga Prishtina, e përshëndes këtë vendim dhe u shpreh mirënjohjen time shqiptarëve të Nju-Jorkut. Me punën dhe përkushtimin tuaj, keni fituar respektin e qytetit dhe i keni dhënë brezit të ri një arsye më shumë për t’u krenuar me rrënjët e veta.

Faleminderit, Nju-Jork! Gëzuar 28 Nëntorin, shqiptarë, kudo që jeni! 🇦🇱

Të ngjashme