Kërkohet shkarkimi i prokurorit Blerim Igrishta, avokati dorëzon ankesë në KPK

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Hashim Miftari pretendon se prokurori Blerim Igrishta i ka shkelur të drejtat gjatë procedurës penale ndaj tij, duke i pamundësuar angazhimin e avokatit dhe duke kërkuar mbajtjen e tij në paraburgim për 48 orë. Avokati Tomë Gashi i ka kërkuar Këshillit Prokurorial të Kosovës inicimin e procedurës për shkarkimin e prokurorit.

Në shkresën e dorëzuar, avokati pretendon se prokurori Igrishta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe ka privuar kundërligjshëm nga liria klientin e tij. Gashi kërkon që, në kuadër të kompetencave të KPK-së, të iniciohet procedura përkatëse ligjore për shkarkimin e prokurorit.

Sipas kërkesës dhe dokumenteve përcjellëse, ngjarja ka ndodhur më 13 nëntor 2026, në oborrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë.

Hashim Miftari, i cili kishte qenë në gjykatë për një çështje tjetër, pretendon se ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në Graçanicë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Dëmtimi i pronës”.

Ai pretendon se, gjatë intervistimit në polici, nuk i ishte mundësuar angazhimi i avokatit privat, ndonëse kishte kërkuar disa herë që policia ta kontaktonte një mbrojtës për ta asistuar gjatë dhënies së deklaratës.

Sipas versionit të tij, prokurori Blerim Igrishta kishte kërkuar nga policia që të gjente një avokat, por më pas kishte insistuar në mbajtjen e tij për 48 orë.

Miftari pretendon se, për shkak se nuk i ishte lejuar angazhimi i avokatit, nuk kishte mundur të ushtronte të drejtën e ankesës kundër aktvendimit për ndalimin e tij.

Në kërkesë thuhet se ai nuk kishte njohuri të mjaftueshme juridike për ta ushtruar vetë këtë të drejtë.

Sipas dokumenteve, Miftari është mbajtur në ndalim nga 13 nëntori deri më 14 nëntor 2026, rreth orës 11:00, kur është liruar nga mbajtja.

Në kërkesën drejtuar KPK-së, avokati Gashi e kundërshton edhe arsyetimin e aktvendimit për ndalim.

Sipas shkresës, aktvendimi me numër PP.II.nr. 5365/26, i datës 13 nëntor 2026, përmbante arsyetime të cilat, sipas avokatit, nuk ishin të bazuara në rrethanat konkrete të rastit.

Në dokument përmenden dyshimet e bazuara se është kryer vepër penale, baza e arsyeshme për besimin se vepra është kryer nga i dyshuari, rreziku i arratisjes, si dhe mundësia e ndikimit në prova apo përsëritjes së veprës penale.

Avokati pretendon se këto arsye janë përdorur në mënyrë të pabazuar ndaj klientit të tij dhe se ndalimi ishte joproporcional me veprën për të cilën dyshohej.

Në kërkesën e tij, avokati Tomë Gashi ka renditur disa shkelje që pretendon se janë kryer nga prokurori Blerim Igrishta. Si mohimi i së drejtës për angazhimin e një avokati gjatë procedurës penale. Cenimi i së drejtës për ankesë kundër aktvendimit për ndalim de mungesa e bazës dhe e proporcionalitetit për mbajtjen në ndalim.

Sipas dokumenteve përcjellëse, pas lirimit nga mbajtja, Miftari ka kërkuar nga prokurori që t’i mundësohej angazhimi i avokatit dhe të ndërmerreshin veprime për mbrojtjen e të drejtave të tij.

Më 18 nëntor 2026, ai është paraqitur në Njësinë e Veçantë të Hetimeve, në kuadër të Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, ku ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) hapjen e një rasti penal kundër prokurorit Blerim Igrishta.

Deklarata e tij është marrë nga ora 11:50 deri në orën 13:20, në prani të avokatit Tomë Gashi.

Në procesverbalin e intervistimit, Miftari ka përshkruar rrethanat e ndalimit dhe pretendimet e tij për mënyrën se si është trajtuar nga policia dhe prokurori.

Ai ka deklaruar se, gjatë qëndrimit në polici, kishte kërkuar mbrojtës, por se prokurori kishte insistuar që të mbahej në ndalim për 48 orë.

Miftari pretendon se, pas përfundimit të mbajtjes, është dërguar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku i ishte komunikuar aktvendimi për ndalim, ndërsa më pas ishte dërguar në Lipjan.

Sipas tij, më 14 nëntor 2026, rreth orës 11:00, është liruar nga mbajtja.

Në dokumentet e dorëzuara në KPK është përfshirë edhe një raport mjekësor i datës 16 nëntor 2026, nga Klinika për Neurologji dhe Psikiatri AURA.

Në raport, të nënshkruar nga neuropsikiatri Jusuf Ulaj, konstatohet se Miftari është paraqitur për shkak të frikës, ndjenjës së pasigurisë, stresit, rënies së vullnetit dhe motivimit, pagjumësisë dhe shqetësimeve të tjera.

Raporti përmend se simptomat janë të ndërlidhura me stresin e përjetuar gjatë ndalimit policor dhe vendimit të prokurorit për mbajtjen e tij në burg për 48 orë.

Diagnoza e shënuar në raport është çrregullim i stresit akut.

Mjeku i ka rekomanduar trajtim medikamentoz dhe kontroll pas gjashtë javësh.

Avokati Gashi e ka përfshirë këtë raport në dokumentacionin përcjellës, duke pretenduar se veprimet e prokurorit kanë shkaktuar pasoja edhe në gjendjen shëndetësore të klientit të tij.

Të ngjashme