Me 38 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozim-vendimin për mbështetje financiare për fëmijët dhe të rriturit me autizëm dhe sindromën Down, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, në kryeqytet, Adelina Sahiti, ka bërë të ditur se mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në llogaritë bankare të prindërve, përkatësisht të nënave.
Ajo ka sqaruar se mbështetja do të përcaktohet në bazë të të ardhurave mujore të ekonomisë familjare.
Sipas saj, familjet me të ardhura deri në 1 mijë e 200 euro do të përfitojnë nga 200 euro në muaj, ndërsa ato me të ardhura mbi këtë shumë do të mbështeten me nga 150 euro në muaj.
“Mjetet do t’ju dalin direkt prindërve. Më saksisht nënës. Tjetra, të ardhurat e prindërve e bën një ndryshim përsa i përket shkallëzimit, duke pasur parasysh të gjitha këtu që i diskutuam të ardhurat e prindërve deri në 1200 euro do të mbështesim këto ekonomi familjare pra, prindërit do të mbështesen me 200 euro. Ndërsa ata që i kanë mbi 1200 euro mesataren e pagës mujore në familje të tyre, do të mbështeten me 150 euro çdo muaj”, deklaroi Sahiti.
Sahiti ka bërë të ditur se janë ndryshuar edhe disa nga kriteret e aplikimit. Është hequr kërkesa për vlerësimin nga psikologu, ndërsa gjatë aplikimit fëmija duhet të shoqërohet nga prindi vetëm një herë.
Po ashtu, është hequr kriteri për licencën e ofruesit të shërbimeve, pasi mjetet do të kalojnë drejtpërdrejt në llogaritë e prindërve.
“Tek kriteret e kualifikimit dhe të dokumentacionit të nevojshëm, përveç dokumentacionit apo mjekësor që diagnoza vetëm nga vlerësimi mjekësor që merret një për një fëmijë në të dyja kategoritë, dhe për edhe për Doën syndrome dhe për autizëm, vendosëm që vlerësimi fillestarë i fëmijës, kjo e larguam dhe thamë që aplikimi i fëmijës, gjatë aplikimit fëmija do të jetë i shoqëruar nga prindërit. Vetëm një herë do të jetë, absolutisht. Dhe të tjera të vazhdojnë të mbesin valide, përveçse licenca e ofruesit të shërbimeve dhe këtë kemi vendosur ta largojmë meqë paratë do të dalin në llogarinë e prindërve”, tha Sahiti.
