Prishtina me 73 kërkesa për banim social, Sahiti: 23 familje përfituan mbështetje për qira

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 07:30 | Nga Drita Dërmaku

Zgjidhja e çështjes së banimit për familjet në kushte të vështira ekonomike mbetet një nga sfidat sociale në kryeqytet, ku kërkesat për mbështetje nuk po mungojnë, por kapacitetet buxhetore janë të kufizuara. Komuna e Prishtinës këtë vit ka pranuar 73 kërkesa për mbështetje në banim, ndërsa 23 prej tyre janë aprovuar për subvencionimin e qirasë.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, në një bisedë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se për këto familje janë ndarë afër 70 mijë euro, ndërsa ka paralajmëruar edhe hapa të tjerë në këtë drejtim.

“Ne çfarë po bëjmë aktualisht, e kemi pagesën e qirasë që e ofrojmë për qytetarët e kryeqytetit të cilët nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, jetojnë me qira, jetojnë në kushte të pafavorshme ekonomike, janë raste sociale dhe ne gjatë këtij viti kemi pranuar deri më tani 73 kërkesa të qytetarëve për t’ua zgjidhur çështjen e banimit dhe ne në bazë të buxhetit që posedojmë, sepse duhet ditur që nuk është që kemi një buxhet të madh ku do të mund t’i akomodonim të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Prishtinës, të këtyre rasteve, ne kemi arritur që 23 prej tyre t’i aprovojmë si kërkesa, në bazë edhe të kritereve sigurisht, dhe afër 70.000 euro janë dhënë për të paguar qiranë për këto familje”, tha Sahiti.

Ajo ka thënë se Komuna është duke shqyrtuar edhe veprime të tjera për të avancuar mbështetjen në këtë fushë, duke shpresuar që së shpejti të ndërmarrin hapa të rinj.

“Është një nevojë, ne tashmë edhe me kryetarin Rama, veçse jemi tek veprimet tutje që do t’i ndërmarrim dhe po shpresoj që shumë shpejt do të bëjmë edhe një hap tutje në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Sa i përket mundësisë së ndërtimit të banesave të reja sociale, Sahiti ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk planifikon të vazhdojë me modelin e banesave kolektive, siç janë ato në Hajvali dhe te Fusha e Pajtimit, të cilat i konsideron formë të getoizimit të qytetarëve në nevojë.

Në vend të këtij modeli, ajo ka bërë të ditur se kanë kërkuar mbështetje nga Ministria e Planifikimit Hapësinor për ndërtimin e shtëpive individuale dhe renovimin e shtëpive ekzistuese, të cilat do të mund të shfrytëzoheshin nga familjet që kanë nevojë.

“Jo, nuk kemi plan për ndërtimin e banesave të reja sociale, siç i kemi rastin e Hajvalisë, rastin tek Fusha e Pajtimit, ne konsiderojmë që ajo nuk është forma e duhur, është një getoizim që bëhet. Ne kemi të rëndësishme ne dhe tani kur kemi aplikuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për mbështetje, ne kemi kërkuar që të ndërtohen shtëpi individuale dhe të rindërtohen apo të rinovohen shtëpi të cilat janë aktualisht t’i përdorin qytetarët e Prishtinës dhe po presim thirrjen e dytë të ministrisë për ta dërguar dosjen tonë, për ta kompletuar”, shtoi Sahiti.

Ajo ka bërë të ditur se Komuna ka krijuar edhe një njësi që po merret me trajtimin e rasteve, ndërsa po pret hapjen e thirrjes së dytë nga ministria për të vazhduar me procedurat e aplikimit dhe për të përfituar mbështetje.

“Ne tashmë kemi edhe një njësi e cila po merret me trajtimin e rasteve, janë duke ecur proceset tutje, po presim ministrinë kur ta hapë thirrjen e dytë për të subvencionuar, sepse ne jemi nënshkrues të kësaj marrëveshjeje bashkë me të gjitha komunat e tjera dhe po presim thirrjen e dytë të ministrisë për të ecur tutje dhe për të përfituar diçka”, ka thënë ajo.

Sahiti ka ritheksuar se Komuna nuk e konsideron të përshtatshëm modelin e banimit social në ndërtesa kolektive, pasi, sipas saj, ai mund të krijojë izolim të familjeve që kanë nevojë për mbështetje.

“Po konsiderojmë që modeli i tipit aktualisht që kemi i banimit social, në banesa kolektive të ndara, është një getoizim dhe ne në asnjë variant nuk jemi që qytetarët tanë të ndihen të izoluar dhe të ndihen të shkëputur nga pjesa tjetër, qytetarët në nevojë sociale të ndihen të shkëputur nga qytetarët që kanë kushte më të mira ekonomike. Për ne të gjithë janë të barabartë”, ka deklaruar drejtoresha.

Sahiti ka folur edhe për nevojën e rritjes së buxhetit për mirëqenien sociale, duke kërkuar nga niveli qendror krijimin e një granti specifik për këtë sektor, sikurse ekziston për arsimin dhe shëndetësinë.

“Ne tashmë në rrafshin e kryeqytetit sigurisht janë ato, ne kemi edhe ligjin për kryeqytetin, janë granti qeveritar dhe të hyrat vetanake që ne i posedojmë si kryeqytet, por si mirëqenie sociale janë kërkesa që ne tashmë i adresojmë edhe në nivelin qeveritar për të ofruar shërbime më cilësore, për të qenë më gjithëpërfshirës edhe si drejtori, si departament. Neve na duhet të kemi një grant specifik, siç e ka arsimi, siç e ka shëndetësia në nivel vendi, i cili në masë të madhe do t’i adresonte të gjitha sfidat që kemi, sepse pastaj përmes këtij granti specifik do të bëhej kontraktimi i shërbimeve, do të dihej saktë edhe numri i punëtorëve socialë, do të bëhej rritja e këtyre punëtorëve socialë për të ofruar shërbime sociale për qytetarët dhe grupet e cënueshme në kryeqytet”, ka thënë Sahiti.

Ajo ka shtuar se kërkesa për grant specifik dhe rritje të numrit të punëtorëve socialë është adresuar vazhdimisht në nivel qendror, përfshirë edhe përmes protestave dhe aktiviteteve të tjera ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e komunës.

“Kështu që është thirrja jonë e radhës përveç protestave të shumta që kemi qenë dhe ne pjesëmarrës, përveç kërkesave të shumta që kemi qenë dhe ne pjesë e tyre, që të bëhet një grant specifik, të shtohet numri i punëtorëve socialë nga niveli qendror dhe pastaj besoj që të gjithë do të jemi në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive që kemi”, shtoi Sahiti.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: adelina-sahiti-2

Të ngjashme