Reagimet ndërkombëtare që pasuan rrënimin e ndërtimeve ilegale në pjesën veriore të Kosovës nuk do ta ndikojnë vazhdimin e këtij procesi, sipas ministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor Fitore Pacolli-Dalipi. Në një intervistë për Ekonomia Online, ajo ka thënë se rrënimet po kryhen në përputhje me ligjin, në prona publike e shtetërore dhe në zona të mbrojtura, me qëllim të mbrojtjes së burimeve ujore të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se, krahas rrënimeve në veri, kanë vazhduar edhe në zonën e liqenit të Radoniqit, ndërsa në plan janë edhe liqenet e Batllavës dhe Badovcit.
“Rrënimet në pjesën veriore kanë filluar shumë më përpara. Kjo shkon në faza të ndryshme. Në të njëjtën kohë kemi vazhduar edhe me rrënime tek liqeni i Radoniqit, dhe do të vazhdojmë edhe në zona të tjera. Pra, ne prioritet i kemi vendosur zonat ujore, pra tek liqenet akumuluese të cilat shërbejnë për ujë të pijes, dhe ky është synimi jonë që t’i pastrojmë këto zona sa më parë që të mundemi, sepse për neve është shumë me rëndësi që të kemi ujë të pastër për pije. Prandaj edhe po rrënojmë në veri, edhe kemi rrënuar tek liqeni i Radoniqit, edhe do të vazhdojmë me liqene të tjera, që është liqeni i Batllavës dhe i Badovcit”, ka thënë Pacolli-Dalipi.
E pyetur për reagimet që kanë pasuar rrënimet në veri, përfshirë ato nga Serbia dhe qytetarët serbë të kësaj pjese, ministrja ka thënë se reagime të tilla mund të ketë edhe në zonat e tjera ku do të zhvillohen këto aktivitete.
“Reagime për aktivitete të tilla do të ketë gjithnjë. Ka pasur reagime edhe në pjesën e Radoniqit, do të ketë reagime edhe në Batllavë, do të ketë reagime edhe në Badovc. Për neve janë të kuptueshme ato. Tani secili qytetar që mendon që ka të drejtë dhe i është bërë padrejtë, i ka institucionet e tjera, pra institucionet e drejtësisë ku mundet me u drejtuar dhe me adresuar rastin. Ne si ministri kemi për detyrë me vendosur rend dhe rregull. Kështu që ne po punojmë në atë drejtim edhe po vazhdojmë tutje me synimet tona, projektet që kemi përpara”, ka deklaruar ajo.
Pacolli-Dalipi është pyetur edhe nëse reagimet ndërkombëtare që kanë pasur në fillim të procesit të rrënimit në veri mund të ndikojnë në vazhdimësinë e tij.
Ajo ka thënë se procesi nuk pritet të ndikohet, pasi sipas saj, rrënimet po bëhen në përputhje me ligjin dhe në prona publike e shtetërore, ku janë realizuar ndërtime ilegale në zona të mbrojtura.
“Jo, kjo nuk ka pse të ndikojë, sepse kjo është duke u bërë në përputhje me ligjin. Pronat ku ne jemi duke rrënuar janë prona publike, janë prona shtetërore. Ndërtimet ku janë bërë, janë bërë ndërtime ilegale, janë zona të mbrojtura, kështu që nuk ka pse të ketë probleme apo të kenë ndonjë ndikim negativ. Ne thjesht po punojmë që ta mbrojmë, t’i mbrojmë burimet tona ujore”, ka thënë ministrja për Ekonomia Online.
Sa i përket numrit të ndërtimeve që kanë mbetur për t’u rrënuar dhe kohëzgjatjes së procesit, Pacolli-Dalipi ka thënë se identifikimi i tyre po vazhdon dhe lista po zgjerohet vazhdimisht.
“Ka shumë, varësisht prej zonave. Ka shumë, ne duhet të vazhdojmë deri në fund. Tani saktë-saktë ne jemi duke identifikuar, dita-ditës edhe shtohen në listë ndërtime të tilla, kështu që nuk mundem me ta dhënë një shifër fiks sepse varion prej zonës në zonë, mirëpo ne po vazhdojmë edhe do të vazhdojmë deri në fund”, shtoi Pacolli-Dalipi.
Bashkimi Evropian ka reaguar pas aksionit të institucioneve të Kosovës për rrënimin e 11 vikendicave në Zubin Potok, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi.
BE-ja përmes një komunikate për media ka kërkuar që institucionet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura, si dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.
“Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje të mëtejshme në posedim, derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”, thuhet në njoftimin e BE-së.
BE-ja ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, mungesën e respektimit të procedurave të rregullta ligjore në këtë rast dhe në disa raste të tjera të fundit në veri të vendit, që nga shkurti i këtij viti.
“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrenë shqetësime serioze për sundimin e ligjit”.
Po ashtu, BE-ja ka theksuar se, në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, pret që institucionet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë, si dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.
Edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se janë “thellësisht të shqetësuar” për rrënimin e shtëpive afër liqenit të Ujmanit.
“Ruajtja e procedurës së rregullt ligjore dhe respektimi i parimeve të sundimit të ligjit, të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës. Ne bëjmë thirrje për ndaljen e menjëhershme të veprimeve të tilla dhe kërkojmë zgjidhje transparente dhe të ligjshme”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Aksioni në Zubin Potok, afër Liqenit të Ujmanit, erdhi pas kërkesës së Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, e cila më herët u kishte kërkuar pronarëve të këtyre objekteve që brenda 15 ditësh të lironin pronën e uzurpuar, të largonin sendet dhe ndërtimet e vendosura pa leje, si dhe ta kthenin hapësirën në gjendjen e mëparshme.
