Ndrejaj: 13 shtatzëni të konfirmuara nga IVF-ja, 2.600 çifte kanë kërkuar këshilla për infertilitetin

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 08:13 | Nga Gzim Mujaj

Trembëdhjetë shtatzëni janë konfirmuar deri më tani në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas trajtimit me fertilizim të asistuar (IVF). Nga 150 paciente që kanë nisur stimulimin e vezoreve, 38 kanë arritur deri te transferimi i qelizave të fekonduara.

Drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se që nga fillimi i shërbimit për trajtimin e infertilitetit, rreth 2.600 çifte kanë kërkuar konsultime dhe këshilla mjekësore për problemet me fertilitetin.

“Në klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike, do të thotë prej fillimit, deri para një viti kemi filluar, deri më tani, kanë kërkuar konsulta apo këshilla për probleme të infertilitetit diku 2.600 pacientë, domethënë çifte të cilat kanë probleme me infertilitet. Do të thotë janë gjithsej 2.600 konsulta të cilat kanë ardhur për me marrë një mendim ose me bërë një konsultë për problemet në infertilitet”, tha ai.

Ndrejaj ka shpjeguar se jo të gjitha çiftet që paraqiten për konsultë janë kandidate për procedurën e IVF-it, pasi trajtimi varet nga shkaktarët e infertilitetit dhe problemet shëndetësore me të cilat përballen.

“Do të thotë prej 2.600 pacientëve apo çifteve të cilët kanë ardhur për konsultë normalisht që të gjitha nuk i nënshtrohen trajtimit ose të procesit të IVF-it për arsye të ndryshme. Disa kanë probleme madhore, do të thotë që nuk mund të trajtohen fare, disa të tjera kanë probleme organike domethënë ndonjë pengesë që duhet të intervenohet kirurgjikisht, ku merr kohë pak më shumë intervenimi derisa të hiqet masa ose derisa të hiqen pengesat prej rrugëve të organeve të brendshme gjenitale. Pastaj disa të tjera kanë probleme hormonale, domethënë secili çift e ka një problem, problematikë që shkakton infertilitetin dhe duhet të trajtohet. Te problemet minore, do të thotë që janë më të vogla ku ka çrregullim të ciklit apo çrregullime hormonale, atëherë deri te intervenimi shkon një rrugë më e shkurtër deri te intervenimi, domethënë procedura e IVF-it shkon një procedurë më e shkurtër edhe kanë trajtim më shpejt”, tha ai.

Sipas Ndrejajt, përveç procedurave të IVF-it, në repartin e infertilitetit janë realizuar edhe ekzaminime dhe intervenime të tjera, përfshirë incizimin e kanaleve të tubave, laparoskopinë dhe histeroskopinë.

“Deri tash, do të thotë përpos procedurave të IVF-it kryhen në repartin e infertilitetit, kryhen edhe disa procedura të tjera, disa ekzaminime ose disa intervenime shtesë, siç është histerosalpingografia, domethënë incizimi i kanaleve të tubave. Janë realizuar deri tash 438 incizime të kanaleve. Pastaj intervenime ku është dashur të intervenohet edhe kirurgjikisht me laparoskopi për shembull, janë diku 99 intervenime te pacientët që janë kryer. Histeroskopi, domethënë incizime të kavitetit të mitrës nëse ka pasur nevojë duhet të hiqen ndonjë pengesë, polip ose ndonjë masë tumoroze, janë diku 91. Prej të gjitha këtyre pacientëve që kanë ardhur në trajtim deri tash janë kryer 150 stimulime, domethënë të vezorëve, që kanë ardhur në procedurë për IVF, domethënë kur fillohet procedura e stimulimit atëherë është procedura e IVF-it, fillimi i procedurës së IVF-it”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se nga 38 pacientet që kanë arritur deri te transferimi i qelizave të fekonduara, 13 kanë shtatzëni të konfirmuar. Sipas tij, këto rezultate janë arritur kryesisht nga qershori i këtij viti, pasi më herët kishte pasur probleme me furnizimin me preparate hormonale.

“Prej 150 pacientëve të cilat janë trajtuar ose kanë marrë stimulimin, janë 38 paciente që është kryer transferi, domethënë i qelizave të mbarësura, që është bërë transferi te to. Do të thotë prej 38 pacientëve që është bërë transferi ku janë kandidate për të mbetur shtatzënë i kemi deri tash të konfirmuara 13 shtatzëni. Domethënë të gjitha këto janë në periudhën e dytë të këtij viti, do të thotë prej qershorit deri tash. Për shkak se procedurat e IVF-it kanë filluar më shumë të funksionalizohen ose të përdoren pas qershorit të këtij viti, për shkak se kemi pasur disa probleme me preparatet hormonale ku dy herë është dashur të shpallet tenderi për shkak se nuk ka pasur ofertues të mjaftueshëm, të bëhen disa ndryshime të listës esenciale me preparate. Domethënë të gjitha ky sukses, ky intervenim me IVF është kryer në periudhën e dytë të vitit 2026. Deri tash i kemi 13 shtatzëni të konfirmuara”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë ka thënë se shkaktarët e infertilitetit janë të shumtë dhe mund të lidhen me anomalitë e lindura të organeve gjenitale, çrregullimet në zhvillimin e tyre dhe problemet hormonale.

“Shkaktarë të infertilitetit janë shumë kompleks, domethënë dhe të marrim prej anomalive të lindura, do të thotë të organeve të brendshme gjenitale siç është mitra, tubat uterine, pastaj vezoret, ndonjë sindromë. Kemi edhe domethënë faktorë të lindur, domethënë prej lindjes që ka pengesa ku kjo problematikë është shumë e vështirë të tejkalohet, domethënë kur kemi me probleme me lindje. Pastaj janë probleme të tjera gjatë zhvillimit të organeve të brendshme gjenitale, domethënë kur një femër gjatë zhvillimit ose gjatë jetës së saj nuk arrin që të zhvillohen në tërësi ose në mënyrë të kënaqshme organet e brendshme gjenitale siç i themi ne me mjekësinë, në gjuhën mjekësore hipoplazi ose hipoplazione të mitrës ose të organeve të brendshme gjenitale. Pastaj janë probleme të tjera hormonale gjatë jetës që e përcjellin një femër siç janë për shembull rritja ose e vezorëve ku ka mungesë të hormoneve edhe vjen deri te problemet me çrregullim të ciklit menstrual ose të zhvillimit të qelizës me vezë”, tha ai.

Ndrejaj ka theksuar se infertiliteti nuk është problem vetëm i grave, pasi në rreth 50 për qind të rasteve shkaktarët mund të lidhen edhe me faktorët mashkullorë, përfshirë numrin dhe lëvizshmërinë e spermatozoideve.

“Përpos problemeve që ka femra, kemi probleme edhe nga ana e mashkullit. Do të thotë edhe meshkujt kanë shumë, ne e marrim mos t’i fajësojmë vetëm femrën, po shkaktarët për infertilitet ose për mos me mundur me mbetur shtatzënë është edhe 50% të rasteve është edhe mashkulli. Do të thotë kur ka probleme me numrin e spermatozoideve, lëvizshmërinë e tyre, format normale, domethënë vlerësohet në tërësi sperma e një mashkulli për nga karakteristikat e saj apo forma e spermatozoideve, qelizave mashkullore që gjenden në spermë. Probleme të tjera janë problemet organike, do të thotë që kemi pengesat ndonjë masë tumoroze ose cistë, tumor në mitër apo në organet të brendshme gjenitale, vezore apo në rrugët, tubat uterine, ku mund të jetë intervenimi kirurgjik. Domethënë të gjitha janë këto pasoja që mund të vijnë ose faktorë që shkaktojnë një infertilitet”, tha ai.

Sa i përket kapaciteteve për trajtimin e pacientëve, Ndrejaj ka vlerësuar se aktualisht stafi dhe infrastruktura janë të mjaftueshme për numrin e kërkesave, por ka paralajmëruar se kapacitetet mund të zgjerohen në të ardhmen, në varësi të rritjes së numrit të pacientëve.

“Mund të themi mbas është shërbimi i ri edhe është në fillim të procedurave dhe të ekzaminimeve dhe të trajtimit të pacientëve. Njëherë për njëherë stafi është i mjaftueshëm edhe numri i pacientëve mund të përballohemi me këtë numër të pacientëve edhe për nga infrastruktura që është rregulluar po edhe nga numri i stafit. Mirëpo në të ardhmen, si po shkon puna, si po shihet, do të thotë mund të rritet edhe mund të shtohet numri i pacientëve, mirëpo edhe kapacitetet e trajtimit të tyre me staf edhe me infrastrukturë mund të rregullohen. Mund të shtohet në të ardhmen, domethënë varësisht nga kërkesa. Kemi në procedurë krijimin ose të ndërtimin e klinikës së re gjinekologjike, siç është donacioni i Emirateve të Bashkuara Arabe që pritet shumë shpejt të fillojë ndërtimi i saj. Po besoj që për një kohë të shkurtër, dy-tri vjet, do të rregullohet edhe klinika e re e gjinekologjisë dhe pastaj do të shtohen edhe kapacitetet si nga ana e infrastrukturës, atëherë edhe nga stafi do të mund të kombinojmë edhe të përmirësojmë edhe këtë pjesë”, tha ai.

Të ngjashme