Për listat e pritjes së pacientëve kërkohet raportimi i bordit të SHSKUK-së

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Për listat e pritjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga që Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të raportojë para Komisionit për Shëndetësi, raporton Ekonomia Online.

Gjatë mbledhjes, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se raporti i prezantuar nuk tregon përmirësim të qëndrueshëm sa i përket listave të pritjes.  

“Nëse e shohim raportin, shifrat nuk flasin për përmirësim të qëndrueshëm. Në vitin 2023 kanë qenë 14 mijë pacientë në pritje, pastaj numri ka rënë në 10 mijë, ndërsa në qershor ka arritur në 12 mijë”, tha Deliu.

Tutje ajo ka përmendur edhe mbi 1 mijë e 200 pacientë që presin për koronarografi, duke theksuar se pritja për këtë shërbim mund të zgjasë deri në një vit.

Deliu ka kërkuar që ShSKUK-ja të raportojë edhe për të dhënat e vitit 2024 dhe për shpërndarjen e pacientëve nëpër klinika.

“Kjo pritje e bënë të pashmangshëm raportimin e anëtarëve të SHKUK-së. A është marrë parasysh raporti i vitit 2024 pasi pe shohim në raport që është marrë parasysh raporti i viti 2025. Do të ishte mirë të kemi informata se në cilat klinika janë shpërndarë pacientët dhe si janë redukruar këto lista e ne cilat klinika janë fryer listat, do të ishte mirë t’i kemi në mbledhje të raportojnë para komisionit”, shtoi ajo.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, ka theksuar se financimi i ulët i shëndetësisë në Kosovë nuk mund të krahasohet me vendet e tjera evropiane, pasi ato ndajnë përqindje më të lartë të bruto produktit vendor për këtë sektor.

“Pavarësisht investimeve të vazhdueshme, që janë rreth 10 për qind e buxhetit, shëndetësia në Kosovë vazhdon të jetë sektori më pak i financuar, ashtu si në Ballkan dhe Evropë. Diku rreth 3 për qind e bruto produktit vendor është shpenzuar për shëndetësi”, potencoi ai.

Bardiqi ka deklaruar se në vitin e fundit është shënuar rritje e shpenzimeve për shëndetësi, duke shtuar se krahasimi me vendet e tjera duhet të bëhet duke marrë parasysh nivelin e financimit.

“Si sektor i financuar në këtë mënyrë, nuk mund të bëjmë analogji me vendet e tjera, pasi të gjitha kanë një shpenzim më të madh të GDP-së në shëndetësi”, theksoi ai.

Deputeti i VV-së ka përmendur edhe paqëndrueshmërinë institucionale dhe zgjedhjet e shpeshta, për të cilat ka thënë se kanë ndikuar drejtpërdrejt në mos rritjen e buxhetit për shëndetësi dhe në zvarritjen e realizimit të investimeve të planifikuara.

Duke folur për listat e pritjes, Bardiqi ka vlerësuar se decentralizimi i shërbimeve është një hap i mirë i ndërmarrë nga SHSKUK-ja për shkurtimin e kohës së pritjes për pacientët.

“Sa i përket listave të pritjes dhe decentralizimit, konsideroj se është një hap i mirë i ndërmarrë nga SHSKUK-ja për të ulur pritjet”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme