Sot shënohet përvjetori i çlirimit të kampit famëkeq të përqendrimit Aushvic, i cili në vitin 1945 u çlirua nga Ushtria e Kuqe, duke zbuluar përmasat e paimagjinueshme të krimeve të kryera nga Gjermania naziste.
Me këtë rast, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, së bashku me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, kanë përkujtuar më shumë se një milion viktima që u vranë në Aushvic, mes tyre burra, gra dhe fëmijë hebrenj, si dhe shumë grupe të tjera të dënuara nga regjimi nazist.
Në një mesazh përkujtimor, ambasada thekson se valixhet e ekspozuara sot në Muzeun e Aushvic-Birkenaut janë dëshmi të heshtura të vuajtjes dhe persekutimit nazist, duke treguar historinë e mijëra njerëzve që kaluan portat e kampit pa u kthyer më.
Përveç hebrenjve, u përkujtuan edhe Sinti dhe Roma, të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët, si dhe shumë të tjerë që u përndoqën dhe u vranë nga terrori nazist. Njëkohësisht, u nderuan edhe ata që i mbijetuan Holokaustit.
Ambasada Gjermane thekson se, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të Holokaustit po zvogëlohet, ndërsa brezat e rinj kanë gjithnjë e më pak lidhje personale me këtë periudhë të errët të historisë.
“Ruajtja e kujtesës historike është thelbësore për të garantuar që këto krime të mos përsëriten kurrë më,” thuhet në mesazhin e ambasadës, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe kujtesës kolektive për të ardhmen.