Gërvalla nga Prekazi: Nuk ka vend tjetër ku mund të fillohet 28 Nëntori

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka nisur shënimin e 28 Nëntorit në Prekaz, së bashku me kryetaren e Kuvendit, kolegë ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

Gërvalla ka thënë se Prekazi është vendi i duhur për të nisur shënimin e kësaj feste, duke e cilësuar atë si vend të shenjtë për të gjithë shqiptarët dhe pikënisje të aktiviteteve që lidhen me historinë, lirinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

“Sot e filluam 28 Nëntorin në Kosovë së bashku me kryetaren e Kuvendit, me kolegë ministra, me deputetë të Kuvendit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, pikërisht në Prekaz, edhe pse është ditëlindja e komandantit Adem Jashari, por sepse nuk ka vend tjetër ku mund ta fillosh 28 Nëntorin. Në këtë vend, i cili është vendi i shenjtë i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në botë dhe ku është pikënisja e secilit aktivitet i cili lidhet me historinë tonë, me lirinë tonë edhe me të ardhmen e kombit tonë. Për shkak se ai që harron historinë, harron edhe të ardhmen që ka për të ndërtuar”, ka deklaruar ministrja Gërvalla-Schwarz.

Ajo ka folur edhe për rëndësinë e dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, në përfaqësimin e shqiptarëve kudo në botë, duke rikujtuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Nëntorët shqiptarë, 28 Nëntorët shqiptarë kulmuan në dy shtetet tona, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. 28 Nëntori na përkujton që kemi shumë punë për të bërë me qëllim që shqiptarët anekënd botës ku janë ta ndjejnë veten të përfaqësuar denjësisht nga dy shtetet e tyre dhe ta ndjejnë veten përgjegjës për sakrificën, për gjakun e derdhur, për të gjithë ata trupa, ata mijëra e mijëra trupa, të cilët të mbështjellë me flamurin kombëtar prehen në tokën e Kosovës”, ka thënë Gërvalla-Schwarz.

Të ngjashme