Mbahet sesion informues me përfaqësuesit e gjendjes civile të komunave për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka mbajtur sot një sesion informues dhe koordinues me përfaqësuesit e gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Zyrave të Gjendjes Civile gjatë periudhës informuese të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional, si dhe diskutimi i çështjeve praktike që lidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.

Gjatë takimit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me standardet evropiane, duke nënvizuar se kjo është pjesë e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës.

“Përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale e Kosovës me standardet e BE-së, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet me përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim dhe proceset tjera integruese,” tha Tela.

Ajo shtoi se zbatimi korrekt i ligjeve është thelbësor për avancimin e vendit në proceset integruese.

“Zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin drejt anëtarësimit në BE,” theksoi ajo.

Në këtë sesion u vlerësua gjithashtu roli kyç i zyrave të gjendjes civile në të gjitha komunat e Kosovës për zbatimin e drejtë të obligimeve që burojnë nga Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete. U theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me MPB-në dhe institucionet tjera relevante, me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe adresimit të sfidave eventuale nga puna praktike në terren.

Sipas MPB-së, ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive që po zhvillohet për të përfshirë të gjithë akterët relevantë dhe për të siguruar që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët përmes formave të ndryshme të komunikimit.

Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

Të ngjashme