Gërvalla takon gazetarët ukrainas në Kosovë: Mbrojtja e fjalës së lirë është mbrojtje e vetë lirisë

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim gazetarë nga Ukraina, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarë në Rezidencë”, i mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes MPJD-së.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gërvalla u shpreh e kënaqur që institucionet e Kosovës kanë mbështetur këtë projekt, i cili u ka ofruar gazetarëve ukrainas siguri dhe mbrojtje, duke u mundësuar vazhdimin e punës së tyre profesionale.

“Jam e kënaqur që institucionet e Kosovës kanë qenë pranë këtij projekti, i cili u ka ofruar gazetarëve ukrainas siguri, mbrojtje dhe mundësi për të vazhduar punën e tyre profesionale në kushte dinjitoze”, tha Gërvalla.

Ajo vlerësoi lart përkushtimin dhe qëndrueshmërinë profesionale të gazetarëve ukrainas, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së fjalës së lirë.

“Besimi se mbrojtja e fjalës së lirë është pjesë thelbësore e mbrojtjes së vetë lirisë mbetet i palëkundur”, u shpreh ministrja.

Gërvalla theksoi se Kosova mbetet një ambient mikpritës dhe një shtëpi e dytë për gazetarët ukrainas, duke çmuar kontributin e tyre në informimin e drejtë dhe të pavarur.

“Kosova është dhe do të mbetet shtëpia juaj e dytë. Ne e çmojmë energjinë tuaj pozitive dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm në gazetari të lirë dhe profesionale”, tha ajo.

Ministrja rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Republikës së Kosovës për Ukrainën në luftën e saj për paqe, liri dhe demokraci.

“Solidariteti ynë me Ukrainën buron nga një përvojë e përbashkët historike dhe nga bindja se fjala e lirë dhe e drejta për të jetuar i lirë janë vlera të shenjta dhe të panegociueshme”, theksoi Gërvalla.

Duke bërë krahasime mes historisë së Kosovës dhe asaj të Ukrainës, ajo u shpreh se Kosova qëndron gjithmonë përkrah popujve që luftojnë për liri dhe mbrojtje të sovranitetit të tyre, duke shtuar se gazetarët ukrainas tashmë po hyjnë në vitin e katërt të qëndrimit në Kosovë.

Në këtë takim morën pjesë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, si dhe Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), organizata që kanë implementuar programin “Gazetarë në Rezidencë”.

Ata shprehën falënderim ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe MPJD-së për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar programin si një nga iniciativat më kredibile të këtij lloji në rajon dhe më gjerë.

Që nga viti 2022, Kosova ka pranuar gjithsej 19 gazetarë nga Ukraina në kuadër të këtij projekti. Prej tyre, nëntë janë kthyer në Ukrainë, ndërsa aktualisht në Kosovë po qëndrojnë 10 gazetarë.

Të ngjashme